PSD: Lista e VV-së qorbë ideologjie, Kurti është ekspert i riciklimit

Partia Socialdemokrate ka mbajtur sot një aksion pranë Katedrales kryesore në Prishtinë. Gjatë këtij aksioni, aktivistë të PSD’së kanë vendosur fytyrën e Albin Kurtit në kontejnerët e mbeturinave që reciklohen.

Aktivisti i PSD’së, Drilon Pireva, e ka arsyetuar këtë aksion me aderimet e fundit nëpër parti, sidomos në Lëvizjen Vetëvendosje.

 “Kemi vërejtur se shumë persona që kanë adereuar nëpër parti politike, sidomos ata të cilët po thirren në ndryshim, plot prej tyre kanë qenë me akuza dhe iu mjaftonte një fotografi me liderin dhe të gjitha ishin të falura. Leninistë, erdoganistë dhe shumë kategori të tjera ishin në listën e tyre për shkak se është bë qorbë ideologjie e që kapakun ia mban lideri suprem, e i cili siç po vërehet është ekspert i reciklimit”, ka thënë ai.

Ndryshe, PSD’ja ka mbajtur një aksion javën e kaluar para stacionit qendror të Policisë së Kosovës, lidhur me tubimet e partive politike dhe mosrespektimin e masave anti-Covid. Në këtë aksion janë arrestuar pothuajse të gjithë aktivistët që kanë qenë pjesë e aksionit.