Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se nëse partitë politike nuk po e votojnë iniciativën për Tribunalin shkaku i tij, “mos t’i përmendet fare emri”.

“Thash në seancën e kaluar, jo që jam në gjendje të hjeku dorë prej vetvetes, por kurrë emri im mos u përmendtë, por kanë kaluar dy dekada edhe askush as në këtë Kuvend as askund nuk ka marrë iniciativë, bile kogja më bën nder, me e ndalë s’ka askush. Nuk ka nevojë fare të improvizohet, të dalin nga Grupet Parlamentare siç dëshirojnë, e improvizojnë në mënyrë që veç të largohet iniciativa nga emri e ta votojmë se kemi edhe shumë pika të tjera”, tha Veseli në seancën e Kuvendit.“E rëndësishme është të votohet nga ky Kuvend iniciativa për Tribunalin.

Se kush e bën, si modelohet, si duhet, tek e fundit japim përgjigje para qytetarëve”, ka thënë ai.

Kurse, lidhur me këtë PSD ka kërkuar që të formohet një komision parlamentar për t’i konsoliduar qëndrimet partitë politike, raporton Gazeta Blic.“PSD e kupton këtë çështje si shumë të rëndësishme. është për Tribunalin dhe për atë që të gjithë që kanë kryer krime që të ndiqen.

Jemi të mendimit që të krijohet një koncensus mbi partiak kjo për faktin duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj çështje.

Të gjejmë një konsensus dhe këtë mos ta lëmë si nisme apo meritë të një partie a individi por të bëhemi të gjithë së bashku dhe ta votojmë.

Ta krijojmë një komision parlamentar që ti harmonizoj qëndrimet dhe posa të harmonizohen qëndrimet të shtrohet kjo çështje”, tha deputeti i PSD-së, Faton Topalli.

Ndryshe, propozimi i Topallit është votuar me 62 vota për dhe asnjë kundër.