PSD-ja paralajmëron veprime për të kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike

Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi ka thënë se kanë organizuar një manifest mbi bazën e të cilit synojnë që të formojnë një dokument të partisë.

Ajo në “Frontal” në T7 tha se mbi bazën e këtij manifesti do të shpalosin se mbi çfarë baze ekziston PSD-ja.

“Manifesti për neve por edhe për çdo parti është një tregues, një dokument i partisë që tregon mënyrën e të menduarit. Pra, manifesti është baza mbi të cilën pastaj shkruhet programi, baza mbi të cilën bëhet çdo planifikim për secilën sferë të jetës. Ne e kemi zgjedh këtë ditë për të bërë një tubim dhe për të shpalosur se për çfarë ekziston PSD-ja”, deklaroi ajo.

Ajo foli edhe për pjesëmarrjen në masë të madhe të qytetarëve në këtë manifest.

“Deshëm që vitin 2022 ta fillojmë mbarë, me një dokument tonin që pastaj është bazë për ndërtimin e çdo subjekti të mirëfilltë. Ne fakt se kemi provuar veten asnjëherë që të organizojmë ndonjë tubim dhe është hera e parë dhe për një kohë shumë të shkurtër pavarësisht temperaturave të ulëta erdhën shumë njerëz, tha zyrtarja e PSD-së.

Kuçi ka konfirmuar se nesër do të diskutojnë në parti lidhur me veprimet që do të ndërmarrin për ta kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

“Mendoj që një protestë duhet të organizohet patjetër. Ne asnjëherë nuk kemi qenë të interesuar që ta mbajmë primatin e një teme. Nesër do të flasim se cila është mënyra më e mirë për ta kundërshtuar këtë rritje të rrymës që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë”, deklaroi Kuçi.

Ajo tha se ka mundësi që të bashkëpunojnë edhe me opozitën për të kundërshtuar vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës, për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.