Aderimi i ish deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje tek Partia Socialdemokrate i ka lënë këta të fundit pa marr fonde nga buxheti i shtetit. PSD edhe pse tashmë parti parlamentare nuk merr asnjë ‘monedhë’, nga fondi i demokratizimit që vjen nga Komisioni Qendror Zgjedhor.

Lëvizja Vetëvendosje edhe pse në Parlamentin e Kosovës qysh në fillim të vitit të kaluar i ka pasur 19 deputetë, ka marr mbi 1.1 milion euro në vit duke u llogaritur për 32 sosh.

Kjo për organizatën joqeveritare, “Çohu” është e palogjikshme dhe pa paarsyeshme. Drejtori i kësaj organizate, Arton Demahsaj thotë se Partisë Socialdemokrate duhet t’i jepet e drejta që të kompensohen dhe të kenë të mundësi që përmes fondit të demokratizimit të zhvillojnë dhe të qojnë tutje partinë e tyre që kanë krijuar. Mirëpo, këtë e kundërshton Lëvizja Vetëvendosje.

Kjo parti vlerëson se kjo është një precedent që mund të ndikojë negativisht në shpërfaqjen e vullnetit të qytetarëve. Deputetja nga radhët e kësaj partie, Arbërie Nagavci thotë se PSD ka qenë një subjekt i cili ka kandiduar në kuadër të koalicionit PAN dhe nuk i ka fituar zgjedhjet.

Siç thotë ajo, në rast të financimit të kësaj partie nga buxheti i shtetit, do të ishte një shembull jo i mirë për të ardhmen që e vë në mëdyshje vullnetin e qytetarëve. Ndërsa, për shefin e grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, kërkesa e PSD-së për financim nga buxheti i shtetit është më shumë një problem konceptual sesa buxhetor.

Për këtë arsye, Hoti i doli në mbështetje VV-së, duke theksuar se kur e fiton mandatin brenda një partie politike, duhet respektuar qëndrimet e asaj partie. Mes tjerash, i pari i deputetëve të LDK-së, tha se duhet pasur një ligj të mirë që e rregullon gjithë mënyrën qysh financohen partitë politike. Sipas tij, duke mos i bërë transparente mënyrën si financohen, po krijohet një situatë e një gare të pabarabartë mes partive politike. Pavarësisht insistimit të KosovaPress, zyrtarët e Partisë Socialdemokrate kanë qenë të pa qasshëm për t’u deklaruar ndaj kësaj çështje.

Përndryshe, edhe në të kaluarën ka pasur raste kur çështja e ndarjes së mjeteve financiare, ka qenë problematike. Rasti i parë ka ndodhur kur Nexhat Daci me deputetët e Lidhjes Demokratike të Dardanisë nuk kanë mundur të marrin hise nga buxheti i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Të njëjtin fat e kanë pasur edhe deputetët e Lëvizjes për Bashkim, kur janë ndarë nga Lëvizja Vetëvendosje, sikundër edhe ata të Nismës kur janë ndarë nga PDK.