Dega e re

PSD hap zyrën në Podujevë

Në vazhdën e shtrirjes dhe zgjerimit të Partisë Socialdemokrate në Kosovë, sot është hapur zyra e saj në komunën e Podujevë.

Duke e paraqitur programin socialdemokrat para llapjanëve, kryetari Shpend Ahmeti, sekretarja e përgjithshme, Aida Dërguti dhe koordinatori i degës, Blerim Maqastena, e quajtën të rëndësishëm zgjerimin e PSD-së në Podujevë.

Me këtë rast u tha, se tri mandatet e kryetarit aktual të komunës dhe 15 vitet e udhëheqjes lokale nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk i zgjidhen problemet ekzistenciale të Podujevë.

“Zgjerimi i sotëm i Partisë Socialdemokrate në Besianë është mundësia e nesërme për qeverisje moderne lokale, me transparencë radikale dhe me planifikim hapësinor e urbanistik, në shërbim të funksionalizimit të shërbimeve komunale dhe lirimit e zhvillimit të hapësirave publike. Interesimi dhe gatishmëria e qytetarëve të Besianës për angazhim politik në PSD, rreth një organizimi të mirëfilltë demokratik, me program zhvillimor dhe social, shpërfaq vullnetin e përgjithshëm për transformimin e domosdoshëm të qeverisjes në Republikën e Kosovës, në dobi të shtresave më të shtypura dhe të harruara të shoqërisë”, thuhet në njoftimin e PSD-së.