PSD e bindë SBASHK-un për reformën, thotë se mësimëdhënësit në Kamenicë s’do të mbesin pa paga

Pas një kohë mospajtime për çështjen e reformës në Arsim, Qëndron Kastrati kryetar i komunës së Kamenicës, ka arritur të bind SBASHK-un. Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, u pa edhe kandidati për deputet nga PSD-ja, Dardan Molliqaj.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka shkruar se me nënshkrimin e Kontratës Kolektive me Sindikatën e Arsimit, janë rregulluar çështja e ri sistemit dhe do të mbrohen interesat e mësimdhënësve, duke mos lënë asnjë pa të ardhura.

Përmes një shkrimi në Facebook, Kastrati ka shkruar se reforma e arsimit në Kamenicë ka arritur sot një hap të madh.

Sipas tij, komuna që po udhëheq po i jep mësim Kosovës se si zhvillohet arsimi e si mbrohet mësimdhënësi.

“Lajmi për nënshkrimi e Kontratës Kolektive është sihariq i madh në dy fusha tejet të rëndësishme për shoqërinë. Kjo kontratë i hap rrugë rritjes së cilësisë në arsim sepse asaj po i bashkohet komuniteti i mësimdhënësve, mësuesit e profesorët. Rëndësi të jashtëzakonshme ka edhe fakti se nënshkrimi i sotëm përbën kontratën e parë kolektive në nivel të ndërmarrjes. Problematikat e ngjashme në fushën e arsimit por jo vetëm, nuk do të trajtohen më individualisht, por kolektivisht dhe përmes sindikatës. Precedenti që kemi vendosur sot nuk është ai i kompromisit, por i bashkëpunimit. Kjo është e mundur sa herë marrëdhëniet midis nesh i kemi të ndërmjetësuara prej qëllimeve përparimtare. Dija e emancipimi janë të tilla”, ka shkruar ai.

Tutje, Kastrati ka thënë se nënshkrimi i kontratës me Sindikatën e Arsimit është nismë për reformë në arsim si dhe qëndrim për një kauzë ku fiton nxënësi.

“Kontratën që nënshkruam sot me Sindikatën e Arsimit rregullon çështjen e risistemimit dhe mbronë interesat e mësimdhënësit, duke u siguruar që ASNJË mësimdhënës nuk do të mbetet pa të ardhura. Lajm shumë i mirë për prindërit e fëmijët, për të cilët shkolla tani e tutje do të jetë institucion serioz e atraktiv që përgatitë qytetarë të përgjegjshëm në shoqëri. Komuna e Kamenicës dëshmoi që ndonëse me kapacitete të kufizuara, mund të marrë përsipër një reformë rrënjësore e të rëndësishme për të ardhmen e komunitetit të saj. Barazia sociale, mendimi kritik e zhvillimi i gjithëmbarshëm janë karakteristika të shoqërive që synojnë zhvillim e përparim.

I zhgënjyer që për shkak të interesave elektorale e personale, individë e grupe të caktuara u munduan të manipulojnë e bllokojnë reformën e cila shihej sheshazi që kishte qëllimin më të mirë, ishte përgatitur e hulumtuar seriozisht, dhe do të realizohej. I ftoj të gjithë ata të reflektojnë dhe të bashkohen në këtë rrugëtim sepse ky preokupim, ky angazhim dhe këto zhvillime janë të të gjithëve. Për nxënësin. Mua më zbrapsin idetë më të mira, zgjidhjet më efektive dhe puna më e madhe e kujtdo. Por jo ofendimet, kërcënimet e presioni. Edhe një herë falënderoj SBAShK-un dhe zotohemi që ASNJË mësimdhënës nuk do të mbetet pa të ardhura”, ka shkruar ai.

loading…