PSD: Çerdhet private njoftojnë rritjen e çmimit nga 100 në 130 euro – të hetohen menjëherë

Partia Socialdemokrate, nëpërmjet një njoftimi, thotë se shumë çerdhe private kanë njoftuar se do ta rrisin çmimin nga 100 në 130 euro për muaj.

PSD thotë se rritja e çmimit të çerdheve private duhet të hetohet menjëherë.

Reagimi i plotë:

Shumë çerdhe private kanë njoftuar se do ta rrisin çmimin nga 100 në 130 euro. Rritja e çmimit të çerdheve private duhet hetuar menjëherë. Këtë rritje, do të jenë të obliguar ta paguajnë prindërit. Por kjo ndikon edhe tek rishqyrtimi i dërgimit të fëmijëve në çerdhe, për shkak të pamundësisë financiare. Këtu preket edhe struktura e familjes, pasi që çdo prapakthim i forcon raportet tradicionale. Edhe ashtu numri i fëmijëve që shkojnë në çerdhe është vetëm 6.2%.

Kjo situatë, duhet ta vendos në nivel të urgjencës kombëtare ndërtimin e çerdheve publike. Në Kosovë janë vetëm 44 çerdhe publike. Ato nuk i përgjigjen nevojës që shoqëria ka për përfshirjen e fëmijëve në sistem edukimi dhe kujdesi, si dhe lirimin e prindërve nga kjo detyrë, si rol parësor.

Qeveria në pushtet ka premtuar ndërtimin e 160 çerdheve gjatë këtij mandati. Këto përveç që janë pak, po duket se janë edhe të vonuara. Si do t’i ndërtojnë 160 çerdhe për dy vite e gjysmë?

Intervenimi në rritjen e çmimit të çerdheve private duhet të jetë i menjëhershëm. Paralelisht me këtë, përmes ndërtimit të objekteve të reja, do të pushonte nevoja për çerdhe private, të cilat sot janë e vetmja alternativë. Edukimi i fëmijëve nuk guxon t’i lihet në dorë privatit.