Partia Socialiste erdhi në pushtet në vitin 2013 së bashku me LSI-në dhe menjëherë vendosi sistemin e tatimit progresiv, duke “liruar” sadopak nga barra e taksës së të ardhurave personale shtresën e varfër e atë të mesme.

5 vite kanë kaluar dhe duket sikur PS po shkon drejt kahut të djathtë duke hequr dorë nga shkalla progresive e taksimit. Këtë të hënë Ministri i Financave Arben Ahmetaj ka deklaruar se në diskutimet nen për nen të buxhetit për vitin 2019, mund të dilet në një propozim për uljen e pragut të patatueshëm të pagave, çka do të thotë se ata që deri dje nuk paguanin asnjë qindarkë taksë nga rroga e tyre, nesër do të duhet të bëhen gati të taksohen. Propozimi i Ahmetajt është që edhe ata qytetarë që marrin një rrogë nga 300 mijë lekë të vjetra (kuotë e cila deri më sot nuk tatohet me taksë) e më poshtë, të taksohen me rreth 1.5 %.

Ironikisht propozimi i Ahmetajt vjen në një kohë kur në komisionin parlamentar të ekonomisë po disa socialistë kanë kërkuar zgjerimin në kahun e kundër të taksimit, që taksë për të ardhurat personale t’i largohen edhe ata qytetarë që marrin një rrogë prej 40 mijë lekësh.

“Tatimin për të ardhurat personale do ta diskutojmë kur të vijmë nen për nen, besoj unë që janë 55% e të punësuarve që janë jashtë sistemit fiskal, pra nuk kontribuojnë fiskalisht përmes tatimit mbi të ardhurat personale, besoj që mund të maturojmë një propozim që ta ulim pragun nga 300 ta çojmë 100, apo t’i fusim në sistem në taksë 1,5% të gjithë. Unë e kam bërë një propozim, besoj që do të diskutohet në të ardhmen që t’i fusim të gjithë kontribues me 1,5% të ardhurash personale dhe bëjmë gjithë gamën e të punësuarve brenda sistemit kontributiv fiskal”, u shpreh Ahmetaj.

Mbetet ende e paqartë sesi e gjithë kjo çështje do të zgjidhet në muajin dhjetor, kohë kur buxheti dhe paketa fiskale për vitin e ardhshëm zënë dhe fokusin e të gjithë skenës politike. Nëse një skenar i tatimit me rreth 1.5% taksë zhvillohet, atëherë çdo i punësuar me një rrogë të vogël si 300 mijë lekë do duhet të paguajë nga 360 deri në 450 lekë më shumë në muaj taksë për të ardhurat e tij personale.

Deri më tani nuk ka asnjë lloj studimi mbi efektet financiare dhe sociale që do të sillte një ndryshim i tillë. E vetmja gjë e qartë duket sheshit, qeveria socialiste duket se po ndryshon spektrin e saj politik, duke anuar më shumë në qendrën e kahut të djathtë.