Provokon Manastiri i Deçanit: Italia na mbrojti më 1941 e 1999 nga ekstremistët shqiptarë

Manastiri i Deçanit ka bërë një postim provokues duke i quajtur shqiptarët ekstremistë.

Në profilin zyrtar në Twitter, Manastiri i Deçanit shkruan se ishte ushtria italiane ajo që e mbrojti atë më 1941 në kohën kur sipas tyre, manastiri u rrezikua nga njësitë ekstremiste lokale shqiptare të Ballit Kombëtar.

Sipas tyre, njëjtë kishte ndodhur edhe në vitin 1999, kur KFOR-i italian u vendos në Manastirin e Deçanit për t’i mbrojtur nga siç thonë “ekstremistët e UÇK-së”.

“Ushtria italiane e mbrojti Manastirin e Deçanit në vitin 1941 kur Manastiri u rrezikua nga njësitë ekstremiste lokale shqiptare të Kosovës të Ballit Kombëtar. Në vitin 1999 KFOR-i italian u vendos në Manastirin tonë për ta mbrojtur atë nga ekstremistët e UÇK-së. Historia po përsëritet shpesh”, ka shkruar Manastiri në Twitter.

Më tej, Manastiri shkruan se si mbrojtja e parë ushtarake e tij filloi në vitin 1903 “kur një njësi osmane e Nizamit u vendos në Manastir për të parandaluar sulmet e klaneve fqinje shqiptare të Kosovës”.

“Kjo u përshkrua nga një udhëtare britanike Mary Edith Durham”, thuhet në postimin e Manastirit të Deçanit, transmeton Klankosova.tv.

“Kushtet e vështira të jetesës për popullatën e krishterë serbe u theksuan veçanërisht nga arkeologu dhe historiani britanik Sir Arthur Evans, i cili vizitoi Kosovën në 1883 dhe shkroi një raport. Pasazhet në manastiret e Deçanit dhe të Pejës janë shumë të vlefshme”, vazhdon Manastiri.

Më tej, në reagim Manastiri u kthye në kohën e pas Luftës së Dytë Botërore, ku siç thonë, regjimi i Titos e shpalli fenë armik të shtetit dhe se në këtë periudhë, komunistët serbë e shqiptarë, sipas tyre, konfiskuan tokë e objekte të manastirit.

“Pas Luftës së Dytë Botërore, regjimi komunist i Titos e shpalli fenë armik të shtetit. Në manastiret tona në Kosovë shteti i konfiskoi disa hektarë të tokës së manastirit dhe në Deçan e Graçanicë komunistët serbë dhe shqiptarë morën disa objekte të manastirit”, tha Manastiri në pjesën e fundit të këtij reagimi provokues.