Provokim i ri në veri me fjalinë e kriminelit Milan Radoiçiq për mosregjistrimin e vetura me RKS

Në prag të fillimit të riregjistrimit të automjeteve me targat ilegale serbe “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” ose “GJA” me targat legale të Republikës së Kosovës “RKS”, sot në pjesën veriore të Mitrovicës janë shpërndarë afishe me mesazhe kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës.

“Jo dorëzim – KM mbetet!” është mesazhi në fletushkat e bashkangjitura makinave në rrugën kryesore të Mitrovicës, së bashku me fotot e targave “KM” dhe “RKS”.

I njëjti mesazh u shkrua duke përdorur shabllone në rrugën kryesore në fillim të muajit, dhe vetëm pak ditë më parë, krimineli Milan Radoiçiq e përdori të njëjtën fjali “jo dorëzim” përmes një video-mesazhi që ai pretendonte se ishte bërë nga kodra mbi Leposaviq.

Mesazhe të tilla vijnë para fillimit të zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave me simbolet “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, ” PE”, “DA” ose “GJA”  me targat “RKS” .

Regjistrimi i veturave me targa RKS do të aplikohet nga 1 gushti deri më 30 shtator. /Ballkani.info/