Protestuesit përleshen me policinë në tubimin kundër masave antiCOVID në Londër

Më shumë se 60 persona u arrestuan të shtunën në Londër teksa mijëra protestues u mblodhën për të kundërshtuar masat anti-Covid që pritet të miratohen nga autoritetet. Me pankarta ku shkruhej “liri”, “mjaft na kontrolluat” dhe “jo më izolim”, protestuesit bllokuan trafikun në qendër të qytetit ndërsa pati edhe përplasje fizike mes palëve. Protesta kryesohej nga Piers Corbyn, vëllai i ish-liderit të partisë Laburiste, Jeremy Corbyn.

Policia tha në një njoftim se pret që numri i të arrestuarve të rritet, për shkak se tubime të tilla nuk janë të lejuara në bazë të rregullores së re të miratuar për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Numri i personave që kundërshtojmë masat e izolimit dhe i quajnë ato shtypëse është rritur, edhe mes radhëve të konservatorëve, për shkak të pasojave ekonomike, më kryesorja parashikimi për humbjen e miliona vendeve të punës.

Mediat britanike shkruajnë se deri në 100 deputetë të partisë Konservatore, që ka edhe drejtimin e qeverisë, mund të dalin kundër kryeministrit Boris Johnson javën e ardhshme, çka mund të detyrojë këtë të fundit të mbështetet te votat e laburistëve për të miratuar masat e reja.

Shumica e “rebelëve” i quajnë këto masa praktikisht një izolim të dytë total, nëse zgjaten deri në pranverë. Vendimi duket se është përforcuar edhe nga përfundimi i një studimi të një grupi ekonomistësh, sipas të cilëve masat e reja të izolimit, do t’i kushtojnë Mbretërisë së Bashkuar 900 milionë paund në ditë.