Protestuesit në Beograd: Vuçiqi ka instaluar kriminelët e tij në Qeverinë e Kosovës

Kryetari i Lëvizjes së qytetarëve të lirë në Serbi, Sergej Trifunoviq, në protestën që ka nisur në orët e pasdites së sotme në Beograd kundër udhëheqësisë së Serbisë, ka thënë se pas këtyre protestave, ndonëse jo menjëherë por pas dy vjetësh, më s’do të ketë Lajiqa, Jovanoviqa, Daçiqa e të ngjashëm.

“Nuk ka kompromis, nuk ka Rasim Lajiqa, Çedomir Jovanoviqa, Ivica Daçiqa, Nenad Çanaka, s’ka, nuk do të ketë më, do të zhdukeni, ju premtoj”, ka porositur ai.

Në protestën “Një nga pesë milionët” u lexua letra në të cilën kërkohet nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, të bëjë publik planin e tij për Kosovën.

“Ne jemi adresa, jo Brukseli, jo Washingtoni, jo Moska, jo Berlini, jo Prishtina, me ne duhet të flasësh për këtë”, u tha në letrën e lexuar nga Trifunoviq.

Në këtë letër u shtrua edhe pyetja se si është e mundur që taksën për mallrat serbe e vë Qeveria e Kosovës në të cilën janë “tre ministra të Vuçiqit”.

“Vuçiq, ke instaluar kriminelët tu të cilët i quan mbrojtës të serbëve, ata nga të cilët serbët e ndershëm ikin e turpërohen”, theksohet më tej në letër.

Lexoni edhe: https://ballkani.info/perfundon-protesta-ne-beograd-kunder-vuciqit-afat-6-dite-per-permbushjen-e-kerkesave/