lajmi i fundit

Protestuesit godasin objektin e Qeverisë me ngjyrë të kuqe (Foto)

Protestuesit kanë hedhur ngjyrë të kuqe në objektin e Qeverisë së Kosovës, ku edhe kanë brohoritur “Kryeministër i ke duartë me gjak”, “Drejtësi për Marigona Osmanin”.

Protesta ka nisur te Ministria e Drejtsisë, ku po kërkohet që vrasjet e grave të trajtohen si urgjencë kombëtare.

Ata po kërkojnë shkarkimin e të gjithë gjykatësve, prokurorëve dhe policëve që nuk i trajtojnë rastet me seriozitet, sipas Kodit të Procedurës Penale.

“Krejt vrasësit e grave po ju dalin recividistë”, “poshtë institucionet patriarkale”, “Kjo ministri i ka duart me gjakun e grave”, “Jeta e grave hajgare për shtetin” janë thirrjet më të shpeshta të tyre.

Protesta organizohet nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist-QIKA, Rrjeti i Grave të Kosovës, Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore.

Protesta vjen pas vrasjes së Marigona Osmanit në Ferizaj. I dyshuari kryesor Dardan Krivaqa me të cilin ka qenë në lidhje martesore për dy muaj, ndodhet në paraburgim një muaj.

Ky marsh protestues ka këto kërkesa: trajtimin e femicidit si urgjencë kombëtare, krijimin e një departamenti brenda Ministrisë së Brendshme për parandalim dhe trajtim të femicidit, monitorim, sanksionim dhe shkarkim të gjyqtarëve, prokurorëve, dhe policëve të Kosovës që nuk i trajtojnë rastet me seriozitet dhe ndjeshmëri gjinore, sipas Kodit Penal të Kosovës dhe Konventës së Stambollit; llogaridhënie nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, dhe Inspektorati Policor për këto raste të shkeljeve, plan konkret nga Qeveria e Kosovës për luftimin e dhunës me bazë gjinore dhe siguri për vajzat dhe gratë në të gjitha hapësirat.