Protestë para Policisë, ky është dënimi i aktivistëve të PSD-së

Partia Socialdemokrate është dënuar me 200 euro gjobë për aktivitetin e zhvilluar të martën para stacionit qendror të Policisë në Prishtinë.

Këtë e ka bërë të ditur zyrtari i kësaj partie, Nol Nushi.

“Në aktivitetin qe zhvilluam kundër çasjes selektive të policisë në trajtimin e shkeljeve te ligjit te pandemisë, në mënyrë PARADOKSALE, u dënuam me 200 euro gjobë për shkeljen e këtij ligji”, ka shkiruar Nushi në Facebook.

Ai tutje ka kritikuar Policinë që nuk ka dënuar partitë politike për grumbullim gjatë fushatës zgjedhore në kohë pandemie, ndërkaq në anën tjetër qytetarët që nuk po respektojnë masat anti-covid po gjobiten.

“3,300,000.00 euro dënime per qytetaret dhe bizneset, 0.00 euro per Partite Politike. Përgjatë muajve të fundit janë shqiptuar mbi 100,000 gjoba në vlerë mbi 3,000,000 euro. Asnjë nga këto nuk është për aktivitetet e partive të cilat na i kanë shurdhu veshët duke akuzuar njëri-tjetrin për menaxhimin e situatës pandemike”, ka shkruar Nushi.

Ndryshe, anëtarë të PSD’së të martën ka protestuar para stacionit qendror të Policisë në Prishtinë, ku në muret e objektit kanë shkruar parullën “Për popullin dënime, për partitë tubime”.

Me këtë rast, Policia ka arrestuar në mënyrë të dhunshme disa nga aktivistët dhe anëtarët e kësaj partie.