“Protestë kundër poshtërimit të shqiptarëve në Britani”

Të vënë në shënjestër nga zyrtarë të lartë britanikë, duke i cilësuar shqiptarët si “kriminelë”, duket se ka prodhuar indinjatë tek emigrantët shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Britaninë e Madhe.

Debati në lidhje me cilësimin e shqiptarëve si “kriminelë”, ka marrë më shumë hov, edhe pas qëndrimeve publike të kryeministrit, Edi Rama, i cili ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve dhe komenteve të zyrtarëve më të lartë britanikë, konkretisht edhe ndaj ministres së Brendshme, të cilët kanë bërë disa deklarata të rënda në adresë të shqiptarëve, duke i paraqitur ata vetëm si profile kriminelësh.

Nisur nga këto akuza, emigrantët shqiptarë, nëpërmjet një njoftimi që po ndahet me shpejtësi në rrjetet sociale, kanë paralajmëruar një protestë të madhe në Londër më datë 12 nëntor ora 10:30, e cila do të zhvillohet në “Westminster Bridge”. “Protestë kundër poshtërimit të shqiptarëve në Britani”, është motoja e këtij tubimi të emigrantëve.

Gjuha raciste dhe etiketimet pa dallim ndaj shqiptarëve, duke i cilësuar si “kriminelë” apo “gangsterë”, janë dënuar gjerësisht nga emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Britani. /rtsh.al/