Protestat për shkollat, Qëndron Kastrati: Është lojë e Albin Kurtit kundër meje

Kryetari i Kamenicës Qëndron Kastrati ka treguar në emisionin Pressing në T7 se pse po kërkon reformë të arsimit në komunën që ai drejton.

Sipas tij, numri i banorëve në këtë komunë është në rënie të vazhdueshme.

Ai thotë se prej vitit 1960, zonat rurale në këtë komunë kanë pasur rënie drastike të popullësisë, e në këtë rast edhe të nxënësve nëpër shkolla.

“Ajo që ka ndodhur në Europë, tash po ndodh edhe në Ballkan. Zonat rurale po zbrazen. Madje në rastin e Ballkanit kemi edhe migrim në Europë. Në këtë shkollë kemi 5 nxënës në një gjeneratë. 4 janë të një gjinie e 1 të gjinisë tjetër. Janë afër 100 gjithsej”, tha ai.

Kastrati thotë se do të vazhdojë me reformën e tij ndërkohë që tha se protestat janë të politizuara dhe të instrumentalizuara nga Qeveria.

“Është lojë e Albin Kurtit kundër meje”, tha ai.

“Ti je shka, ti je duke bë agjenda të Millosheviqit. Këto janë akuzat që po shpifin ndaj meje”, shtoi ai.