Protestat në SHBA, Policia arreston gazetarin e CNN gjatë transmetimit ‘live’

Policia në ShBA ka arrestuar ekipin e gazetarëve të CNN që po mbulonin live protestën në qytetin e Mineapolisit, pas vdekjes së një personi me ngjyrë në duart e policëve. Ekipi sidoqoftë më pas u la i lirë.

Rrjeti televiziv postoi pamje të korrespondentit Omar Jimenez që fliste qetësisht me policinë që ishte e armatosur me shkopinj gome dhe helmeta, dhe më pas shoqërohet me pranga në duar.

“A mund të më thoni përse po më arrestoni, zotëri”, dëgjohet të thotë Himenez por asnjë përgjigje nuk mund të dëgjohet. CNN tha se një producent dhe një operator që po punonin me Himenez po ashtu u arrestuan. Më herët, ndërsa policia e shtetit të Minesotës rrethoi Himenezin ndërsa raportonte, korrespondenti foli me oficerët dhe tha se ai donte të bashkëpunonte. “Kudo që të na thoni të qëndrojmë, do ta bëjmë këtë”, tha Himenez, që po ashtu është me ngjyrë. CNN tha në një postim në tëitter se një gazetar i bardhë ishte po ashtu në terren dhe po mbulonte ngjarjet, por nuk u arrestua. Himenez u kthye në raportin live sërish pasi policia e liroi atë – konfirmoi CNN.

Guvernatori i Minesotës ndërkohë i kërkoi ndjesë rrjetit. CNN kishte lëshuar më herët një deklaratë në të cilën dënonte sjelljen e policisë duke thënë se arrestimi i reporterit dhe ekipit të tij, pavarësisht se ishin identifikuar, është një dhunim i hapur i amendamentit të parë të kushtetutës. Himenez ndodhej në qytet ndërsa po mbulonte natën e tretë radhazi të zemërimit të shkaktuar nga vdekja e George Floyd, pasi ai ishte arrestuar me dyshimin se po përdorte kartëmonedha të falsifikuara. Një video e marrë nga një kalimtar, tregonte oficerin e policisë që i vendoste gjurin në qafë atij ndërsa e kishte shtrirë më parë në tokë. Në një moment, Floyd dëgjohet të thotë se nuk mund të merrte dot frymë.