Protestat studentore në Serbi, që po zgjasin për muaj të tërë nuk janë të orkestruara nga grupe të jashtme, por rezultat i një pakënaqësie të thellë ndaj korrupsionit dhe mungesës së shtetit ligjor nën pushtetin e Vuçiqit, thotë politikani liberal serb dhe profesori i Universitetit të Beogradit, Ivan Videnoviq.
Në një intervistë për The Geopost, Videnoviq thekson se zbatimi i ligjit është kërkesa kryesore e studentëve që po protestojnë duke kërkuar përgjegjësi për rrëzimin e çatisë në një stacion të trenit në Novi Sad, që la të vdekur 15 persona.
Sipas tij, Rusia mbështet qeverinë e Vuçiqit, e cila ende refuzon të përafrohet plotësisht me politikën e jashtme të BE-së. Ndërsa kritikon Kinën për shfrytëzimin e mundësive korruptive në Serbi, duke marrë prona dhe pasuri përmes marrëveshjeve sekrete dhe jotransparente.
Ai flet po ashtu mbi ndikimin e qeverisë aktuale të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, mundësitë e opozitës dhe qëndrimin e Bashkimit Evropian ndaj situatës politike në Serbi.
“Është shumë e qartë se Rusia po e mbështet qeverinë e Vuçiqit. Deri në çfarë mase, deri në çfarë mase po shkon kjo mbështetje, është e vështirë të thuhet, por për momentin i përshtatet qëndrimit të Vuçiqit, i cili ende po refuzon të akomodohet plotësisht dhe të përafrohet plotësisht me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian. Kina është shfrytëzuese e mundësive korruptive për të marrë, në mënyrë korruptive, punë të caktuara, madje edhe disa pronësi, disa pasuri të paluajtshme, disa miniera, disa toka në Serbi, përmes këtyre marrëveshjeve sekrete, që nuk e di, janë miqësore, vëllazërore, kjo e ajo, por në fund të fundit, sigurisht që janë jotransparente”, thotë ai.







