Pa përmirësim rrënjësor të gjendjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE.

Kështu ka deklaruar kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës, ku ka thënë se pala kosovare, në vend se t’a përdorë këtë fakt për të përmirësuar pozitën e shqiptarëve atje, vetëm sa ka demobilizuar Luginën, me premtimin se do t’i bashkëngjiten Kosovës.

Ai tha se komuna e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, janë më të pazhvilluarat në Serbi, ndërsa papunësia e shqiptarëve në Serbi është më e larta në rajon, pas popullsisë rome.

“Pa ndryshuar rrënjësisht gjendja e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, nuk është e mundur që Serbia të anëtarësohet në BE. Kapitujt 23 dhe 24, gjyqësori, të drejtat dhe liritë themelore, siguria e imponojnë këtë gjë. Mirëpo në vend se ne t’i përdorim këta dy kapituj për të përmirësuar pozitën e shqiptarëve atje, nga Prishtina është demobilizuar Lugina e Preshevës, pikërisht në për të premtimeve se ata shumë shpejt do të na bashkëngjiten neve, pa ndonjëfarë sforcimi shtesë… Diskriminimi, nënpërfaqësimi, shfrytëzimi, shtypja e shqiptarëve atje është e pashembullt. Ndërkaq, premtimi se ata do të na bashkohen neve, me konferenca shtypi, vetëm sa i ka demobilizuar dhe pasivizuar”, tha Kurti, raporton ksp.

Sipas tij, janë 4 hapa kryesor që duhet të ndërmerren për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Institucionet e Republikës të Kosovës e poashtu ato të Shqipërisë, duhet të kërkojnë televizion në gjuhën shqipe në Preshevë, universitet në gjuhën shqipe në Bujanoc, investime të shqiptarëve në Medvegjë, dhe heqjen e bazës ushtarake të Serbisë në Boroc të Bujanocit. Në këtë mënyrë, me këto kërkesa, shqiptarët kudo që janë, dhe jo vetëm institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë, dalin në ofensivë kundrejt shtetit të Serbisë”, u shpreh ai.

Kosova nuk ka arritur asnjëherë të ngritë mjaftueshëm zërin për të treguar se në Luginën e Preshevës nuk respektohet e drejta elementare, mësimi në gjuhën amtare.

Kështu ka thënë sot deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, e cila gjatë fjalës së saj në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se Kosova nuk e futi Luginën asnjëherë as në bisedimet me Serbinë.

Ajo kërkoi që të mbështeten projektet që vijnë nga Lugina e Preshevës.

“Për mua çka është shqetësuese, përveç që mësojnë, gjenden për t’iu mësuar historinë reale të popullit shqiptar, ata tekstet i kanë të papërkthyera, por gjinden vullnetarisht në suaza të mundësive të mësimdhënësit për t’iu mësuar arsimin shqip atje. Pos që vazhdon diskriminimi i skajshëm i shtetit serb atje ne nuk po ia dalim për të treguar fuqinë tonë si shtet i Republikës të Kosovës, që pakicat tona serbe të diskriminuara pozitivisht, krahasuar me secilin komunitet që jeton në Republikën e Kosovës, asnjëherë nuk arritëm të ngritim zërin fuqishëm, te secili faktor ndërkombëtar, për të treguar se taje shkelet e drejta elementare, mësimi në gjuhën amtare”, u shpreh ajo.

Deputetja e NISMA Socialdemorkate, Albulena Balaj – Halimi tha se Bashkimi Evropian do të duhej të merrte masa për padrejtësitë e mëdha që Serbia po iu bënë shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Gjatë fjalës së saj në Kuvendin e Kosovës, Balaj – Halimi tha se NISMA do të angazhohet për një vijë buxhetore për Luginën e Preshevës, teksa propozoi themelimin e një ministrie për Luginën e Preshevës.

“Unë propozoj që në Kosovë të kemi një Ministri për Luginën e Preshevës. Kur jemi në gjendje të kemi 21-24 ministri, të cilat ndoshta nuk do ët ishin të nevojshme, pse të mos kemi edhe një ministri të veçantë për Luginën e Preshevës… Ndërkohë që në Kosovë, serbët mësojnë me planprogram të Serbisë dhe jo të Kosovës, si ka mundësi që Luginës të mos i mundësohet të mësojë në gjuhën amtare, ndërsa këtyre këtu po. Andaj, Bashkimi Evropian, do të duhej të merrte masa edhe në këtë çështje”, u shpreh ajo.

Deputeti i Partisë Socialdemokrate Dukagjin Gorani, ka propozuar që në kuadër të Kryeministrisë të hapet një zyrë për Luginën e Preshevës, që sipas tij do të ishte një veprim i vogël e simbolik, por që do ta vendoste një adresë të përhershme për banorët e Luginës.

Ai tha se për PSD-në hapja dhe funksionimi i zyrës për Luginën e Preshevës në Qeverinë e Kosovës do të ishte hapi i parë dhe i domosdoshëm që do të mundësonte hartimin e një plani gjithëpërfshirës shtetëror për Luginën dhe banorët e saj.

Gorani tha se situata e shqiptarëve në Luginë të Preshevës nuk ka ndryshuar për të mirë prej rezolutës së këtij Kuvendi në qershorin 2013, prej premtimit të fondit të përbashkët nga viti 2014 e deri tek garancitë elektorale për dhënie të nënshtetësisë së Kosovës nga viti 2017.

Ai potencoi se shqiptarët e Luginës vazhdojnë të jetojnë mes premtimeve të papërmbushura nga Republika e Kosovës dhe mos përfilljes sistematike nga Republika e Serbisë.

“Atje ata reduktohen në individ edhe pse janë komunitet, kurse këtu për ta flasim si komunitet e nuk ua mundësojmë statusin e shtetasit të qytetarit e as të individit. Jeta në përkohshmëni, në pritje e në paqartësi ata i dërgon në mërgim dhe braktisje. Këto ditë fati dhe ardhmëria e tyre është reduktuar në një monedhë kusurimi gjatë hamendësimeve amatore mbi shkëmbimin e territoreve dhe demarkacione etnike. Ashtu qysh e keni dëshmuar edhe më herët gjatë viteve, Kosova dhe ky Kuvend nuk mund të bëjnë shumë për shqiptarët në Republikën e Serbisë, mirëpo kjo nuk do të thotë se nuk duhet ta bëjnë asnjë gjë… Për PSD-në hapja dhe funksionimi i zyrës për Luginën e Preshevës në Qeverinë e Kosovës do të ishte hapi i parë dhe i domosdoshëm që do të mundësonte hartimin e një plani gjithëpërfshirës shtetëror për Luginën dhe banorët e saj, hapjen e një linje të veçantë buxhetore për të dhe mbështetjen shtetërore e buxhetore për Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi. Asistenca e Kosovës për këtë organ është me rëndësi të madhe veçanërisht pas vendimit të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për financimin e këtij Këshilli”, tha Gorani.

PSD konsideron se marrja e këtyre vendimeve është e domosdoshme, pasi sipas tij komuniteti shqiptar vazhdon të trajtohet si i paqenë nga Qeveritë e Serbisë përkundër tri marrëveshjeve të nënshkruara me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh bashkëpropozues i rekomandimeve për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, tha se një çështje kyçe që duhet të diskutohet është reciprociteti.

Sipas tij, shqiptarët e Luginës së Kosovës duhet të gëzojnë të drejtat e njëjta sikurse serbët në Kosovë.

Ai tha se mospjesëmarrja e shqiptarëve në regjistrim të popullsisë në Serbi, ka bërë që të zvogëlohet buxheti i ndarë për ata.

“Aq të drejta sa kanë serbët në Kosovë, në përqindje të numrit të banorëve, po ashtu t’iu jepet e drejta të kenë të drejta shqiptarët në Luginën e Preshevës, Medvegjë, Bujanoc po edhe në Vrajë dhe atje ku janë. Prandaj, numri real i shqiptarëve atje nuk është i prezantuar asnjëherë, aq sa ka në pjesën e Luginës ka edhe në Beograd. Këtë e kanë deklaruar atëherë, udhëheqësit e Serbisë, veç në Beograd ka qenë një deklaratë e asaj qeverie paraluftës, se në Beograd jetojnë 82 mijë shqiptarë. Këtë e pati pas thënë presidenti i përbashkët Bullatoviq në atë kohë, e tash ata nuk kanë asnjë të drejtë të mësimit… Prandaj forma e reciprocitetit, është forma më e mirë e mbrojtjes së identitetit dhe kulturës, njerëzve tanë”, tha ai.

E këtu kryeparlamentari Kadri Veseli, kujtoi se ish-presidenti i Malit të Zi, Momir Bullatoviq, ka vdekur ditën e djeshme.