Seancë

Propozimi i PDK-së për debat parlamentar për raportin e DASH-it nuk kalon në Kuvend, LVV kërkon seancë të veçantë

Propozimi i Partisë Demokratike të Kosovës, për futur në rend dite në seancën e sotme të Kuvendit, debatin parlamentar për raportin e DASH-it, nuk ka kaluar.

26 vota ishin për, 40 kundër dhe një abstenim.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila ka falënderuar PDK për propozimin e tyre për të diskutuar për të gjeturat e raportit të DASH-it.

Megjithatë Kusari-Lila ka thënë se është mirë që për këtë raport të diskutohet në një seancë të veçantë.

“Ne e falënderojmë PDK për propozimin natyrisht dhe për vënien në spikamë të një raporti kredibil të DASH. Përveç faktit të bashkëpunimit me SHBA-të si partner strategjik dhe kredibilitetin e raportit qoftë për të gjeturat e vitit 2024,2023,2022. Të gjeturat e këtij raporti kanë qenë gjithmonë të rëndësishme. Duke ditur rëndësinë dhe peshën jo vetëm në elementet që përmendi z.Tahiri pasi që përmendi vetëm çështjet e qeverisë, natyrisht nga pozicioni i opozitarit nuk do të mund ta bënte ndryshme”, tha Kusari-Lila.

Ajo shtoi se raporti flet në detaje për lëshimet e sistemit të drejtësisë prej viteve të mëhershme 2018-2019 në raport me dhunën ndaj grave.

“Me një vrasje specifike dhe dështimin e Gjykatës Themelore në Gjilan në vitin 2019 për të mbrojtur një grua nga ish-bashkëshorti i saj e cila pas dy viteve tashmë është  ndjerë. Përmend shkeljen e të drejtave të punëtorëve në sektorin privat. Përmend rastet e ish-ministrave në proces të gjykimit qofshin në procese të stërzgjatura me vite”, tha ajo.

Kusari-Lila përmendi se raporti ka disa lëshime të vogla statistikore.

“Ka disa lëshime të vogla në raportet statistikore në veçanti me prezencën e grave në qeveri, përmend që ka vetëm një zëvendëskryeministre e në fakt ka dy dhe jo 5 ministre po 6. Ka të gjetura interesave, dhe ne si grup parlamentar propozojmë të caktohet seancë e veçantë ku do të flasim për këtë raport. Duke e ditur se nuk është një raport që kërkon urgjencë dhe vendimmarrje sot, unë propozoj që në kryesinë e kuvendit të caktojmë datën kur do të mblidhemi dhe të diskutojmë për këtë raport”, tha ajo.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se ky Kuvend do të duhej të ishte vendi ku ne i diskutojmë këto shqetësime, i japim propozimet e opinionet tona dhe i nxjerrim vendimet.

“Ky institucion më së paku është përfaqësues, dhe pastaj shumë pak është institucion mbikëqyrës sepse qëllimisht kjo shumicë parlamentare ka pamundësuar funksionin mbikëqyrës të këtij Kuvendi. Ka krijuar situatën kur ne kur flasim për problemet e vendit tonë ti referohemi institucioneve të huaja”, tha Gashi.

Ai shtoi se është pamundësuar puna e komisionit hetimor për rezervart shtetërore gjashtë muaj qëllimisht, e gjithashtu krijimi i disa komisioneve hetimore parlamentare.

“Ne duhet të flasim sot edhe censurën ndaj mediave.  Mendoj se duhet të bëjmë debat sot”, tha Gashi.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se do të duhej që sot të diskutohej për raportin e DASH-it dhe Freedom House.

“Në historinë e qeverisjes në Kosovë asnjëherë vendi ynë dhe qeveria nuk ka marrë një klasifikim kaq serioz dhe kaq të keq me gjendjen në vendin tonë. Hapeni vetëm faqen e parë të raportit të DASH-it. Flet për një korrupsion serioz në Qeveri. Çka duhet të thotë më shumë një raport i DASH-it për të adresuar një çështje që është kaq serioze”, tha Tahiri.

Ai shtoi se ky raport është letërnjoftimi i kësaj qeverie. “Ne duhet të diskutojmë për këtë çështje”, tha Tahiri.

Pas këtyre diskutimeve shefi i deputetëve të PDK-së, ka replikuar sërish me Kusari-Lilën.

“E nderuara kolege nuk i ceka të gjitha sepse ishte vetëm propozim. Mendoj se në asnjë rrethanë nuk ka asnjë pikë më të rëndësishme që të diskutojmë për këtë raport. Brenda tri dite Republika e Kosovës i ka marrë dy goditje të rënda që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Kjo është shqetësuese dhe refuzimi me votë është mesazh i keq”, tha ai.

E Kusari-Lila u përgjigj duke thënë se “raporti nuk lexohet vetëm në faqen e parë po në 45 faqe”.