Nga 1 shtatori i këtij viti, nxënësve të shkollës do t’u kërkohet të këndojnë himnin rus dhe të ngrenë flamurin kombëtar në fillim të çdo jave shkollore. Këtë e bëri të ditur kreu i Ministrisë së Arsimit të Federatës Ruse, Sergej Kravtsov.

Shkollave u dërguan rekomandime – çdo të hënë të fillonin mësimet me një ceremoni solemne të ngritjes së flamurit dhe këndimit të himnit.

Që nga maji – në shkollat pilot, që nga shtatori – në të gjitha shkollat e vendit. Ministria e Arsimit e Federatës Ruse do të rekomandojë gjithashtu mbledhjen e telefonave nga studentët para mësimit. Sipas Kravtsov, kjo është e nevojshme në mënyrë që studentët “të mos shpërqendrohen”.

Përdorimi i telefonave do të lejohet “vetëm nëse mësuesit e kërkojnë atë si pjesë e procesit arsimor”. Gjithashtu u bë e ditur se Rusia dëshiron t’i heqë produktet e importuara nga mensat e shkollave. Sipas autoriteteve ruse, menyja duhet të rishikohet dhe produktet “jo miqësore” duhet të zëvendësohen me ato vendase. Kravtsov sqaroi se pjesa e importeve në menynë e shkollave është rreth 4%, nga të cilat shumica – 70% – janë fruta, 14% të tjera janë perime dhe patate, dhe rreth 9% janë mish.

Se çfarë do t’i zëvendësojë këto produkte, nuk saktësoi, por siguroi se për shkak të kësaj, “ushqimi i fëmijëve do të bëhet më i përballueshëm”. Që nga sulmi ushtarak ndaj Ukrainës, Rusia ka shpenzuar pothuajse më shumë se në ushtri për propagandë, duke i detyruar rusët të dëgjojnë gënjeshtra nëpër media. Po ashtu rusët dënohen me burg nëse e quajnë luftë sulmin ndaj Ukrainës, por duhet t’i referohen si “operacion special”.

Mediat e pavarura janë mbyllur, ndërsa ato shtetërore propagandojnë për luftën, duke fshehur të vërtetën e plotë.