Krimet Ekonomike dhe Inspektorati i Tregut të enjten mbrëma ia mësynë dy depove të rrjeteve të supermaketeve. Cak ishin depo kryesore e “Viva Fresh Store” dhe ajo “Migros” e pronarit të “Super Viva”. Aksioni u zhvillua për shkak të dyshimeve për mashtrim me çmimet e litrës së vajit, që javën e shkuar arriti në shifra ekstreme. Shkaku i të gjeturave, Inspektorati i Tregut njoftoi se i mbyllin përkohësisht të dy depot që u bastisen.
E menjëherë pas aksionit, në opinionin publik, kryesisht përmes rrjeteve sociale u aludua se pronari i Viva Fresh Store, depoja kryesore e të cilës u mbyll përkohësisht nga shteti, nuk u gjet nga Policia, dhe se këta të fundit janë vënë në kërkim të tij.
Nga kompania “Viva Fresh Store” kanë thënë se aludimet se pronari i rrjetit të super-marketeve është në arrati janë krejtësisht spekulime.
“Pretendimet dhe opinionet e tilla absolutisht janë të pasakta dhe janë si rrjedhojë e dezinformatave, keqinformimit, lajmeve të rreme, të shtrembëruara e të pakonfirmuara”, thuhet në përgjigjen e “Viva Fresh Store” për Reporteri.net.
Tutje, kompania demanton edhe pohimet e Inspektoratit të Tregut që i dhanë në komunikatën ku u njoftua mbyllja e dy depove pas aksionit të së enjtes.
Madje, nga “Viva Fresh Store” pohojnë se nuk iu është ndërprerë nga shtetit zhvillimi i aktiviteti, siç njoftoi Inspektorati i Tregut.
“Në fakt inspektorët e tregut kanë kryer një vizitë në kompaninë tonë dhe pas kryerjes së veprimeve inspektuese nuk është gjetur asnjë shkelje ligjore si dhe asnjë produkt i padeklaruar. Si rrjedhojë e një transparence të tillë, menjëherë pas kryerjes së vizitës, nga po të njëjtit, Qendrës sonë Logjistike i është mundësuar zhvillimi i aktiviteteve normale dhe të përditshme. Përtej kësaj gjithçka tjetër ngelët në suazat e spekulimeve dhe të pavërtetës”, thuhet në përgjigjen e tyre .







