Pronari i lokalit në Pejton sulmon ekipin e televizonit, reagon AGK

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës njofton se një ekip i RTV Dukagjinit, i pëbërë nga gazetari Liridon Llozani dhe kameramani Diamant Maxharraj janë sulmuar fizikisht sot derisa po raportonin në lagjen Pejton të Prishtinës për deklarimin e të hyrave në ATK.

“Njëri prej pronarëve të një lokali në vendin ku ekipi po xhironte fillimisht ka provuar të ndalojë filmimin, e më pas edhe e ka goditur kameramanin, Maxharraj”, thuhet në njoftimin e AGK-së.

“Gazetarët e kanë lajmëruar menjëherë Policinë, e cila e ka arrestuar këtë person. Ata gjithashtu e kanë dhënë deklaratën në stacionin e policisë për incidentin”, thuhet tutje në njoftim.

AGK-ja e dënon fuqishëm këtë sulm fizik, që sipas tyre, shton edhe më shumë pasigurinë e gazetarëve në punën e tyre të përditshme.