MINT

Pronari i kompanisë për vajin e sheqerin ishte në Kosovë: Pse të gjithë po heshtin për skandalin e madh?

Edhe disa ditë pas arrestimit të Ridvan Muharremit dhe dy zyrtarëve të Ministrisë së Tregtisë, Irfan Lipovica e Hafiz Gara, çështja e mungesës së mallit të paguar në rezerva shtetërore vazhdon të jetë temë kryesore diskutimi në Kosovë.

Po flitet nëpër studio, po flitet nëpër rrjete sociale, po kritikohen prokurorët e gjyqtarët, po kritikohet edhe ministrja nga opozita. Megjithatë, pak-kush ka folur deri më tash për një deklaratë të dhënë nga avokati i Ridvan Muharremit, Mahmut Halimi.

Halimi në një prononcim për Nacionalen ka treguar se pronari i kompanisë polake nga e cila u ble vaji dhe sheqeri kishte qenë në Kosovë para 1 muaj e gjysmë. Këtë, Halimi ka thënë se ia ka treguar klienti i tij, biznesmeni Ridvan Muharremi.

Ridvan Muharremi, sipas avokatit, e kishte njoftuar Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë se pronari polak gjendet në Kosovë. Ia kishte treguar edhe hotelin ku po qëndronte. Por që sipas Mahmut Halimit, Ministria e drejtuar nga Rozeta Hajdari nuk kishte ndërmarrë asnjë masë.

“Para 1 muaj e gjys para se me ndodh arrestimi kam marrë vesh që polaku pronari i qasaj firmës së Polonisë ka ardhur në Prishtinë, është vendosur në hotel Prishtina, ka nejt rreth 3 ose 4 ditë dhe menjëherë e kam lajmëruar Ministrinsë iu kam thënë o djem e keni organet në duar të juaja merni organet edhe shkoni e merrne në pyetje e mos e lëshoni pa i kry procedurat, ose pa e paraburgos sepse iu ka mashtru. Jeni organ shtetëror, Policia iu ndihmon merrne tek e fundit arrestone nëse nuk e zbaton kotratën. As ata nuk e kanë bërë”, deklaroi avokati Mahmut Halimi për Nacionalen.

Megjithatë, ky pretendim i avokatit Halimi deri më tash ka kaluar në heshtje totale. Askush nga Ministria e Tregtisë nuk e ka komentuar këtë fakt. Askush as nga pushteti e bile as nga opozita nuk ka reaguar nëse këto pretendimet janë të vërteta.

Analisti Imer Mushkolaj gjatë debatit të mbrëmshëm në RTV Dukagjini, ia përmendi deputetit të Vetëvendosjes, Armend Muja, këtë raportim të Nacionales.

“Këto pyetje po ua shtroj juve që me u përgjigj ministrja që nuk po jep përgjigje në pyetjet esenciale. Ne i kemi deklaratat e avokatëve. Avokati i Muharremit po thotë që Muharremi ka shkuar e ka gjetur në Poloni mundësinë për vaj e sheqer, nuk ka ardhur vaji. Po thotë që iu ka thënë ministrisë ma jepni autorizimin edhe nuk kthena pa vaj e sheqer”, tha fillimisht Mushkolaj.

“Poashtu po thotë në një deklaratë për Nacionalen se pronari i kompanisë polake që ka siguru mallrat mea rdh në Kosovë, ka qenë në Kosovë. E kam njoftuar po thotë ministrinë shkoni folni me të, kërkush prej ministrisë nuk ka shkuar. Pra janë disa dilema, nuk kërkoj përgjigje për juve sepse nuk jeni përgjegjës. Unë e kuptoj perspektivën e juaj si deputet. Po jo domosdoshmërisht i dini të gjitha këto gjëra. E kam problemin te zonja ministre e cila duhet me i sqaru këto pretendime”, deklaroi Imer Mushkolaj.

Megjithatë, deputeti i VV-së, Armend Muja, nuk pranoi t’i komentojë shumë deklarimet e avokatit Halimi. Tha se gjërat e tilla duhet të thuhen para prokurorit.

“Avokati ka dhënë sqarimin, ministrja ka dhënë sqarimin. Këtu bëhet, del dikush me një deklaratë kur iniciohet procedura të vetmet deklarime bëhen para prokurorit. Çka deklarojnë nën betim qato janë të vërteta, jo jashtë betimit. Secili kush cfarë deklarate ka le të dalë para prokurorit”, deklaroi deputeti Muja.

Reagime të tjera nuk ka pasur, pavarësisht se qytetarë të shumtë kanë hedhur dilema nëpër rrjete sociale.

Avokati Halimi në këtë prononcim për Nacionalen kishte thëën se kompania polake arsyetohej në forma të ndryshme për faktin që nuk e kishte dërguar mallin. Fillimisht kishin thënë se pronari e ka vajzën me kancer, e më pas se nuk po mund ta sjellin mallin kah Serbia.

Halimi ka thënë se ministria e Rozeta Hajdarit nuk e ka lejuar e as nuk ia ka dhënë autorizimin Ridvan Muharremit të përfshihet në çështjen e vajit dhe sheqerit.