Pronarët e restoranteve përplasen me policinë në Romë gjatë protestës kundër izolimit

Pronarët e restoranteve italianë dhe të tjerë të zemëruar për mbylljen e bizneseve të tyre për javë për shkak të pandemisë, janë përplasur me policinë të martën, gjatë një proteste jashtë parlamentit në Romë.

Një polic është lënduar, ka raportuar LaPresse, dhe shtatë protestues janë arrestuar.

Shumë prej qindra protestuesve kanë bërtitur “Punë” dhe “Liri”, shkruan AP.

Ngrënia dhe pirja në restorante, bare dhe kafene është aktualisht e ndaluar për të paktën gjatë prillit. Vetëm shërbimet “merr me vete” lejohen.

Pronarët e bizneseve insistojnë se duhet të rihapen. Restorantet dhe kafenetë në rajonet me numër të ulët të rasteve dhe me pak të hospitalizuar – të quajtura zona të verdha – janë lejuar për një kohë të shërbejnë ushqim dhe pije në tavolinë deri në mbrëmje.

Por, rritja e shpejtë e të infektuarve bëri që qeveria e Italisë të eliminojë dizajnin e zonës së verdhë prej para Pashkëve deri në fund të prillit.