“Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve”, është libri i autorit Luan Tashi që u promovua sot në Prishtinë.
Në ceremoni u nderua lartë figura e Skënderbeut, dhe për librin u tha se përmbledh në mënyrën më të mirë, faktike, figurën e tij. Aty foli edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se libri ofron përshkrimin për Skënderbeun në mënyrë vizuale, diçka që ka munguar më parë.
Një hero të përmasave më shumë se kombëtare, e ka quajtur Gjergj Kastriotin, kryeministri Ramush Haradinaj.
Ai tha se Skënderbeu është një hero i porosive të vlefshme për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e shqiptarëve në Ballkan.
“Ajo që më ka bërë përshtypje, dhe dëshiroj me thënë, kur kam qenë fëmijë në mënyrë obligative kemi lexuar veprat për heroin tonë, të shkruara për heroin tonë, kom pas rastin me lexu edhe vepra të shkrimtarëve të huaj për heroin tonë, ndër të tjera një vepër që është pronë e kongresit amerikan. Tani heroi ynë na vjen në mënyrën vizuele, diçka që kemi pas rast me pa në sekuenca ose pjesshëm, që gjithë ne në këtë sallë mund t’i kemi disa pamje të heroit tonë, nga një shtatore nga një portret, nga një pikturë, nga një përshkrim që e kemi ne, dhe i kemi të ngulitura në mendjet tona, secili prej nesh është në gjendje në një mënyrë me i dhënë përshkrimet për heroin tonë, por sa mirë me i pas të gjitha bashkë, vizuele, për ne për të rriturit, për fëmijët tanë”, tha ai, raporton KP.
Ndërsa Astrit Saliu, profesor i Filozofisë në Universitetin e Prishtinës tha se Luan Tashi, në mënyrë të përmbledhur ka sjellë fakto-grafinë e memorizuar evropiane të figurës së Skënderbeut.
“Është një sfidë në vete për arsye se këtë vepër e kam parë si lajm të mirë, e kam parë si lajm të mirë për arsye se për herë të parë e pash që unë si shqiptar nuk kam nevojë t’i tregoi kush është Skënderbeu. Sepse Luan Tashi na ka sjell në mënyrë të përmbledhur fakto-grafinë e memorizuar evropiane të figurës së tij e cila gjendet me shekuj nëpër qytetet evropiane, në galeritë evropiane, në bibliotekat evropiane”, tha ai.
E Luan Tashi, autori i veprës, shkurt falënderoi të pranishmit dhe tha se me ardhjen e tyre kanë nderuar historinë dhe figurën e Skënderbeut.
“Ju me këtë ardhjen e juaj, jo që më keni nderuar vetëm mua, jo vetëm që keni nderuar historinë e popullit shqiptar, që e keni nderuar artin e mirëfilltë shqiptar, por ju e keni nderuar edhe vet Skënderbeun”, tha ai.
Ceremonia e librit “Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve”, u zhvillua edhe me pjesë artistike, poezi dhe muzikë.







