Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet Sh.S., për veprat penale: “Vrasje e rëndë” dhe “Manipulim me prova”, për rastin e kazinos në Suharekë.

“Sipas aktakuzës, i akuzuari Sh.S., me datë 17.03.2019 në Suharekë në një kazino, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore me dashje dhe në mënyrë dinake privon nga jeta J.A., punëtor i kazinos.”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themlore në Prizren.

I akuzuari, gjendet në paraburgim nga data 17.03.2019.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cilat i vihen në barrë, si dhe ka propozuar që si dënim plotësues të akuzuarit t’i konfiskohet automjeti i markës ,,Audi” A3, ngjyrë e zezë, me të cilin automjet ka bartur dhe fshehur dëshmitë e veprës penale të kryer.”, thuhet më tej në komunikatë. /Ballkani.info/