Prokuroria Themelore mohon të jetë arrestuar avokati Gazmend Halilaj

Sot është raportuar se është arrestuar avokati Gazmend Halilaj, i cili raportoi shfrytëzimin seksual që i kishin bërë një profesor dhe një polic vajzës nga Drenasi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka reaguar pas kësaj, duke thënë se Halilaj është ftuar për intervistim dhe nuk është arrestuar

Përmes një komunikate për media, Prokuroria Themelore në Prishtinës ka qartësuar intervistimin e sotëm të avokatit Halilaj.

“Për hir të informimit të drejtë e të saktë, ju njoftojmë se avokati, Gazmend Halilaj, ka qenë i ftuar për intervistim nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, dhe nuk është arrestuar, siç kanë shkruar sot disa media. Intervistimi i avokatit Halilaj, është në vazhdën e veprimeve hetimore, për shkak të rastit që jeni tashmë të gjithë në dijeni”, thuhet në komunikatë

Vetë avokati, i cili më parë shkroi se u arrestua, ka treguar përmes një postimi në Facebook se është liruar.

“Te dashur miq. Jam i lire. Pasdite jam ne zyre me pune te perditshme. Ne mbremje normal ne shtëpi”, ka shkruar Halilaj.