Prokuroria Themelore e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj një të pandehuri për grabitje në tentativë dhe për posedim të paautorizuar të armëve.
Sipas aktakuzës, i pandehuri B.B., si anëtarë i grupit të armatosur, me kanosje serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër, së bashku me të pandehurit S.M dhe Z.B., tentojnë të përvetësojnë pasurinë e luajtshme të personit tjetër, më qëllim që vetës t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, transmeton lajmi.net.
“Me datë 19.05.2018, rreth orës 22:25, me veturë shkojnë tek shtëpia e të dëmtuarit S.M., në fshatin Gjinoc – Komuna e Suharekës, i vendosin maskat në fytyrë dhe duke përdorur armë të shkurta dhe të gjata futen në korridorin e shtëpisë së të dëmtuarit dhe në momentin e ballafaqimit me të dëmtuarin, të njëjtin e kërcënojnë duke ia drejtuar armët, dhe gjatë përleshjes dhe rezistencës së të dëmtuarit shkrepin me armë dhe më pas largohen nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftim.
“Në këtë mënyrë, në bashkëkryerje e kryejnë veprën penale ‘Grabitje në tentativë’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”, shkruan në komunikatën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.







