Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë për kontrabandë ndaj 19 personave

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), sot, ka ngritur aktakuzë kundër nëntëmbëdhjetë (19) personave, të cilët duke vepruar si grup i organizuar kriminal, kanë kryer veprat penale ‘’Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal’’, ‘’Shmangia nga pagesat e tarifave të detyrueshme doganore’’ dhe ’’Shmangia nga tatimi’’.

Sipas aktakuzës, të pandehurit, si grup i organizuar dhe strukturuar kriminal, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, në vazhdimësi kanë kontrabanduar mallra, nga Republika e Maqedonisë, përmes rrugëve malore, në vende të ndryshme të Republikës së Kosovës, me ç’rast gjatë transportimit të mallrave, kanë përdorur vetura të ndryshme si mjete përcjellëse për sigurimin e rrugëve që shfrytëzonin gjatë kontrabandimit, ku në këtë mënyrë e kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës, përkatësisht Doganat dhe Administratën Tatimore të Kosovës, në shumë rreth 350,000.00 (treqindepesëdhjetë mijë) euro, transmeton Ballkani.info.

Me këto veprime, të pandehurit XH.I., F.I., Z.M., N.S., B.S., H.S., A.B., M.B., I.J., U.J dhe J.J., kanë kryer veprat penale: ‘’Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal’’ nga neni 283 paragrafi 1 lidhur me veprat penale, ‘’Shmangia nga pagesat e tarifave të detyrueshme doganore’’ nga neni 318 paragrafi 3 dhe ‘’Tregtia e ndaluar’’ nga neni 305 paragrafi 3 dhe 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Gjithashtu, edhe të pandehurit D.B., A.I., H.A., G.Z., R.B., A.D., dhe J.M., kanë kryer veprat penale: ’Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal’’ nga neni 283 paragrafi 1 lidhur me veprat penale, ‘’Shmangia nga pagesat e tarifave të detyrueshme doganore’’ nga neni 318 paragrafi 3 dhe ‘’Tregtia e ndaluar’’ nga neni 305 paragrafi 3 dhe 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Ndërsa, të pandehurit J.M., A.D., G.Z., D.B., A.A., H.A., dhe R.B., si subjekte të ndryshme ekonomike, kanë kryer edhe veprat penale ‘’Shmangia nga tatimi’’ nga neni 313 të KPRK-së, të cilët, me qëllim të shmangies së pagesës së tatimit dhe të ardhurat nga qarkullimi i tij, nuk i kanë përfshirë të gjitha informatat lidhur me të ardhurat e tij. /Ballkani.info

loading…