Prokuroria Speciale ngrin 700 mijë euro nga aksioni në “Call Center”

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se aksioni i nisur një ditë më parë në “Call center” në 17 lokacione të ndryshme në Prishtinë dhe Ferizaj, ka vazhduar edhe sot.

Prokuroria Speciale njofton se gjatë ditës së sotme janë ngrirë 700.000 euro, të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtaritë e “Call center” në mënyrë të kundërligjshme, lidhur me veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Krimit të organizuar”.

“Deri më tani nga ky operacion janë ngrirë 700.000 euro, janë sekuestruar 160.000 euro, 6 vetura, janë arrestuar tetëmbëdhjetë 18 persona, si dhe një numër i konsiderueshëm i kompjuterëve, serverëve dhe telefonave mobil e të cilët janë shfrytëzuar për kryerjen e veprave penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.