LAJMI I FUNDIT

Prokuroria Speciale kërkon paraburgimin e tre terroristëve serbë

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë kërkesë për caktimin e masë së paraburgimit ndaj tre sulmuesve serbë të cilët janë arrestuar të dielën në veri.

Në komunikatën e Prokurorisë thuhet se seanca do të mbahet sot e martë, nga ora 10:00, në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special.

Komunikata e plotë:

PROKURORIA SPECIALE KA BËRË KËRKESË PËR CAKTIMIN E PARABURGIMIT KUNDËR TRE PERSONAVE

Prishtinë, 25 shtator 2023 –  Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se ka bërë një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre (3) personave V.T. B.S dhe D.M. për vepra të ndryshme penale.

Prokuroria Speciale njofton opinionin se kërkesa është bërë kundër tre (3) të pandehurve për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 126, dhe “Kryerja e veprave terroriste” nga neni 129 të Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 126, dhe “Kryerja e veprave terroriste” nga neni 129, lidhur me nenin 33 të Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.

Seanca do të mbahet sot e martë, nga ora 10:00, në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special./Ballkani.info