Prokuroria Speciale interviston Duda Baljen lidhur me deklaratën e saj për rastin e dhunimit

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar e ka ftuar për intervistë deputeten e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Duda Balje, lidhur me deklaratën e saj se ka njohuri për një rast të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Sipas njoftimit për media, “Gjatë intervistës, Prokuroria ka kërkuar nga deputetja Balje, të dhëna lidhur me atë që ka deklaruar në emision, për emrin e viktimës apo ndonjë informacion tjetër në mënyrë që prokuroria të kontaktojë me viktimën. Mirëpo, deputetja lidhur me këtë rast ka deklaruar se nuk e dinë emrin e viktimës dhe se nuk e ka as numrin e telefonit të saj, e as ndonjë informacion lidhur me kryesin e mundshëm të krimit.“

Tutje Prokurori ka njoftuar se në një situatë të tillë, nga deputetja Balje nuk ka arritur të sigurojë asnjë informacion i cili kishte paraqitur bazë për hapjen hetimit të rastit.

“Andaj, Prokuroria Speciale iu bën thirrje të gjitha viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovës, që ta denoncojnë krimin në prokurorinë kompetente e cila garanton mbrojtjen e identitetit të tyre. Gjithashtu, i fton të gjithë qytetarët të cilët disponojnë me informacione relevante për rastet e tilla, ti raportojnë në prokurori e jo për këto raste fillimisht të diskutohet në emisione të ndryshme të karakterit argëtues.”