Prokuroria Speciale bënë kërkesë për caktim të paraburgimit kundër serbit të ndaluar për krime lufte

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës ka ndaluar serbin Sllagjan Trajkoviq, për veprën penale Krimet e luftës kundër popullatës civile, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 142 dhe 22 të Kodit Penal të RSFJ, aktualisht e penalizuar edhe me nenet 31 dhe 153 të KPRK.

Në njoftimin e Prokurorisë Speciale thuhet se veprimet e të pandehurit Sllagjan Trajkoviq,  janë në kundërshtim me konventat e Gjenevës, dhe ligjet ndërkombëtare në fuqi në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë.

“Dyshimet e Prokurorisë Speciale konsistojnë në faktin se i pandehuri S.T. së bashku edhe me persona të tjerë të uniformuar ka marr pjesë në në ofensivën ushtarake të datës 06.04.1999, në fshatin Reznik, Komuna e Vushtrrisë dhe në ofensivën e datës 02.05.1999, në qytetin e Vushtrrisë. Në këtë rast i pandehuri  në bashkëveprim edhe me persona të tjerë ka qenë i përfshirë në keqtrajtimin, maltretimin, plaçkitjen si dhe vrasjen e personave civil dhe shpërnguljen më dhunë nga shtëpitë e tyre  gjatë kohës se luftës”, thuhet në njoftim.

Më tej Prokuroria Speciale ka njoftuar se si pasojë e këtyre veprimeve inkriminuese të të pandehurit, Prokuroria Speciale me qëllim të sigurimit të prezencës të të njëjtit në procedurë, ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Speciale, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtit.