Prokuroria e Specializuar ka marrë vendim që të tërheq urdhrin e saj për t’i kërkuar skica, dokumente dhe fotografi ish-eprorit të UÇK-së, Mahir Hasanit, i cili është ftuar për intervistim nga prokuroria në cilësinë e të dyshuarit.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar kërkesën e Prokurorisë së Specializuar ndaj mbrojtjes së Mahir Hasanit, Kryeprokurori i Prokurorisë së Specializuar, Jack Smith, ka marrë vendim që të tërheq lëndën e cila ishte në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese.
Artan Çerkini, avokati i Mahir Hasanit, ka konfirmuar sot për Insajderin se kryeprokurori Smith i ka dërguar atij një letër ku e ka njoftuar për tërheqjen e lëndës nga Gjykata Kushtetuese.
“Na ka ardhur dje një vendim i Kryeprokurorit të Specializuar, Jack Smith, që ai e ka tërhequr urdhrin ndaj klientit tim dhe ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të mos vendos për rastin sepse ka paralajmëruar që e kanë tërheq lëndën”, ka thënë Çerkini për Insajderin.
Pasi Prokuroria e Specializuar kishte kërkuar nga Hasani që në momentin kur do thirrej për intervistim të merrte me vete skica, dokumente apo fotografi si prova, mbrojtja e ish-eprorit të UÇK-së e kishte dërguar lëndën në Gjykatën Kushtetuese – e cila e kishte pezulluar kërkesën e Prokurorisë së Specializuar.
“Ata [Prokuroria e Specializuar, v.j] patën kërkuar nga personi i dyshuar që ai të dërgoj fotografi, skica, dokumente në momentin kur ai do të intervistohej në Hagë, por në këtë periudhë derisa Gjykata ta marrë vendim Prokuroria e Specializuar tashmë e ka tërhequr vendimin dhe po kërkojnë prej Gjykatës që kërkesa të mos shqyrtohet”, ka deklaruar Çerkini.
Para rreth një javë ditësh, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte suspenduar përkohësisht një urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, për dorëzimin e dokumenteve, të dhënave dhe informacioneve të specifikuara nga Mahir Hasani.
“Sot, më 7 shkurt 2019, në ora 12:00, në bazë të kërkesës së avokatit Dr. Artan Qerkini nga rradhët e S&Q në të mirë të klientit z. Mahir Hasani për masë të përkohshme, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetutese suspendoi Urdhërin e Prokurorit të Specializuar ndaj z. Hasani për dorëzim të dokumenteve, të dhënave, shënimeve dhe informacioneve të specifikuara në Urdhrin e Prokurorit të Specializuar”, thuhej në njoftimin e mbrojtjes së Mahir Hasanit, të lëshuar nëntë ditë më parë.
Mahir Hasani është njëri nga themeluesit e parë të UÇK-së. Ai është ftuar në Hagë në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte kundër popullatës civile.
Siç raportoi Insajderi në fillim të këtij viti, ish-komandanti i UÇK-së, që është marrë më Zbulim kundër Zbulim, dyshohet se është i përfshirë në një rast të vrasjes së civilëve serbë në Zoqishtë të Rahovecit.
Hasani, është dekoruar muajin e kaluar me Medalje Presidenciale të 10-vjetorit të Pavarësisë.
“Kosova e kishte krijuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, para se ta shpallte pavarësinë e saj. Një dekadë pas, në këtë fundvit kur unanimisht në Kuvend u votua krijimi i Ushtrisë së Republikës së Kosovës, me Medaljen Presidenciale të 10 Vjetorit të Pavarësisë i dekorova disa prej oficerëve të parë të UÇK-së”, pati njoftuar Thaçi.







