Prokuroria s’ka hapur rast për këshilltarin e Thaçit, thotë se do të mbledhë fakte

Prokuroria Speciale e Kosovës ka thënë se nuk ka asnjë rast të hapur lidhur me Branislav Nikoliqin, që dje u lirua nga detyra e këshilltarit politik i presidentit, pas raportimeve se kishte qenë pjesë e BIA-s.

Në një përgjigje për KTV-në, Prokuroria Speciale ka thënë se do të fillojë mbledhjen e fakteve dhe provave për të parë se a ka bazë për nisjen e hetimit apo jo.

“Në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, nuk ka rast të hapur lidhur me personin në fjalë. Prokuroria Speciale do të fillojë mbledhjen e fakteve dhe provave, për analizimin e tyre se a ka bazë për fillimin e hetimeve apo jo, si dhe më pas do të njoftohet opinioni lidhur me veprimet e ndërmarra”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale.

Lidhur me raportimet për Nikoliqin, deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, kishte kërkuar të mblidhet Këshilli i Sigurisë. Lidhur me këtë kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se pa u proceduar rasti nuk guxojnë të veprojnë.