Prokuroria sërish me aksion në Brezovicë

Prokuroria Themelore e Ferizajt në bashkëpunim me Drejtorinë e Krimeve të Rënda është duke e vazhduar një aksion në Brezovicë.

Në kuadër të rastit “Brezovica” edhe gjatë ditës së sotme Prokuroria Themelore e Ferizajt është duke vazhduar një aksion për verifikimin e objekteve që janë ndërtuar në zonën e Brezovicës.

Edhe ky aksion është vazhdimësi e aksioneve të kaluara e që kanë për qëllim verifikimin e secilit ndërtim në zonën e mbrojtjes të Brezovicës.

Këtë e ka konfirmuar për Demokracia.com, prokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Rasim Maloku.

“Operacioni për identifikim dhe regjistrim të vikend-shtëpive në Brezovicë është duke vazhduar edhe sot me të njëjtat institucione si në ditët e kaluara”, ka thënë Maloku për Demokracia.com.

Ky është aksioni i tretë i Prokurorisë, pasi që aksione të tilla janë zhvilluar më 4 gusht dhe 8 gusht të këtij viti.

I gjithë ky aksion është duke u zhvilluar në bashkëpunim me inspektorët e Ministrisë së Mjedisit, inspektorët për ndërtime dhe janë duke u identifikuar dhe shikuar në detaje se si janë bërë ndërtimet, nëse ka pasur tejkalim të ndërtimeve dhe se a janë ndërtuar ato në kundërshtim me rregullat që janë caktuar në zonat e Brezovicës.