Prokuroria pret ekzaminimin e provave për plaçkitjen e armatosur në Merdarë

Prokuroria Themelore në Prishtinë është nē pritje të provave nga laboratori forenzik lidhur me tentim-grabitjen e bërë nga katër persona me maska të armatosur në një filial të bankës afër terminalit doganor në Merdarë.

Në një prononcim për “Indeksonline”, Zëvendës Kryeprokurori i Themelores, Ibrahim Berisha ka thënë se deri në këtë kohë personat e përfshirë në këtë rast ndodhen ende në arrati.

“Për rastin tentim-grabitje që ka ndodhë afër terminalit doganor përkatësishtt një filialit të bankës tani pas gjetjes së veturës së të dyshuarve të involvuar në rast e që është ajo e tipit ‘Opel Vectra’, Prokuroria është në pritje të ekzaminimit të provave me qëlllim që të shikohet se mos ka ndonjë gjurmë të të dyshuarve brenda veturës. Personat ende nuk janë identifiku dhe të njëjtit ndodhen në arrati.

Jemi duke vazhduar hetimet intensive deri në ndriçimin e rrethanave që karakterizojnë rastin”, ka thënë Berisha.


Më tej, numri dy i Themelores ka shtuar se sipas informatave që ka marrë nga prokurori kujdestar, Hivzi Bajraktari të dyshuarit duke ikur nga policia me veturë në drejtim të Podujevës kanë shtënë me armë në drejtim të policëve.

Vlen të theksohet se vetura e cila është gjetur dje është ‘Opel Vectra’ ngjyrë e hirit, pa targa.

Po ashtu, ky grup për dy muaj ka kryer tri raste të vjedhjeve me kallashë e armë të ndryshme të rrezikshme në komunën e Podujevës.

Vjedhjen e parë e kanë kryer në rrugën “Zahir Pajaziti”, kurse herën e dytë vodhën në një shtëpi në fshatin Sekiraqë, ku edhe kanë shtënë me armë zjarri.