Prokuroria po i interviston Dardan Molliqajn, Haki Abazin e Rexhep Hotin

Në ambientet e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në këto momente, po intervistohet ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe anëtari i PSD-së, Dardan Molliqaj. Pak minuta më para deklaratë ka dhënë edhe kandidati për deputet nga VV-ja, Haki Abazi.

E prania e tyre para hetuesve lidhet me atë që ndodhi mbrëmë pas përfundimit të emisionit “Pressing me Leonard Kërqukin”.

Kandidati për deputet nga VV-ja, Haki Abazi pas përfundimit të emisionit deklaroi se u sulmua fizikisht nga Molliqaj i PSD-së.

Lajmin për intervistim e ka konfirmuar për Express edhe kryeprokurori në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Kujtim Munishi.

“Mund të ju konfirmoj se Prokuroria e shtetit tashmë ka nisur hetimet rreth kësaj çështjeje. Për këtë punë në ambientet e prokurorisë janë ftuar për intervistim tre persona. Molliqaj, Abazi dhe Hoti. Intervistimin e ka përfunduar deputeti Molliqaj. Ndërkohë dy të tjerët pritet të intervistohen pas pak minutave”, ka deklaruar për gazetës kryeprokurori Munishi.

E ndërkohë Prokuroria e Prishtinës ka marrë një grumbull provash e dëshmitarësh për ta zbardhur këtë rast.

Por debati mbrëmë në Pressing nisi dhe përfundoi me polemika të ashpra mes Abazit dhe Molliqajt.

Fillimisht Molliqaj nuk po e pranonte Abazin si përfaqësues të VV-së, duke thënë se ai është “profiter e servil”.

Abazi nga ana tjetër po e quante Molliqajn “tradhtar të votës së popullit”.

Debati mes tyre eskaloi aq sa i përmendin anëtarë të familjes njëri-tjetrit.

Pas përfundimit të debatit, Abazi gjatë ndërprerjes së emisionit është kthyer në studio dhe ka thënë se e ka sulmuar Molliqaj dhe shoqëruesi i tij.

Të njëjtën e ka rithënë për Gazetën Express, ndërsa Molliqaj përmes një statusi në Facebook ka mohuar akuzat e Abazit, duke shkruar se ‘asgjë nuk ka ndodhur’.

loading…