Prokuroria mbyll hetimet për vdekjet e dyshimta të dy nxënëseve në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka mbyllur hetimet për vdekjet e dyshimta të dy nxënësve D.K dhe A.d gjatë muajit maj të këtij viti.

Sipas njoftimit të tyre, pas zhvillimit të veprave hetimore intensive, Prokuroria ka ardhur në përfundim se vdekja e dy nxënësve nuk është shkaktuar nga veprimet inkriminueuese të personave tjerë.

“Departamenti i Krimeve të Rënda pranë Prokurorisë Themelore në Prizren, më datë 12 tetor 2018, ka mbyllur hetimet për vdekjet e dyshimta të dy nxënëseve D.K dhe A.D., të shkollës së mesme të mjekësisë “Luciano Motroni” në Prizren.

Prokurori i Shtetit, i ngarkuar me rastin, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Sektori Rajonal i Hetimeve, ka zhvilluar veprime hetimore intensive, duke përfshirë por pa u kufizuar në: intervistim të numrit të madh të dëshmitarëve, aplikim të masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit, raporti i këqyrjes së vendit të ngjarjes, foto – albumi i vendit të ngjarjes, shikimi i incizimeve nga kamerat e vendit të ngjarjes, raporti psikiatrik i njësisë së shëndetit mendor për fëmijë dhe adoleshent, raporti i ekspertimit të forenzikës, raporti i autopsisë etj., dhe nga të gjitha këto informacione të siguruara Prokuroria Themelore në Prizren, ka ardhur në përfundimin se vdekja e dy nxënëseve nuk është shkaktuar nga veprimet inkriminuese të personave tjerë”, thuhet në njoftim.

Hetimet patën nisur, pasi personat e afërt të dy shoqeve patën thënë se vetëvrasja e tyre në ditë të afërta mund të kishin ndërlidhje.