Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj ish-deputetit, Gani Geci, për kërcënimin ndaj gazetarit, Lirim Mehmetaj. Kjo është konfirmuar për BetimipërDrejtësi nga zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi.

Seanca dëgjimore pritet të mbahet këtë të mërkurë në orën 13:00.

Gani Geci u arrestua mbrëmjen e së hënës(12 tetor) nga Policia e Kosovës.

Në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Mehmetaj ka treguar se Geci bashkë me disa persona tjerë kishin shkuar edhe në zyrën e tij, ndërsa ai më pas e kishte paraqitur rastin në Polici.

“E kam bërë atë postim. Prej familjes Geci më kanë thirrur dhe më kanë thënë ta heq postimin. Unë u kam thënë jo. Kanë propozuar të takohemi. Kam thënë: ‘Okej’. Më kanë thënë ta heq postimin, ndërsa unë u kam thënë jo”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, pasi kishte refuzuar ta fshinte postimin, personat që kishin shkuar në zyrën e tij i kishin kërkuar t’ia ndryshonte përmbajtjen.

“Njëherë kanë qenë më komunikues, por unë u kam thënë jo, nuk hiqet. Më kanë thënë: ‘Ani, t’ia ndërrosh përmbajtjen’, ndërsa unë u kam thënë jo. Pastaj i kam larguar nga zyra”, ka treguar ai.

Mehmetaj ka thënë se, pas refuzimit të tij, kishte pasur edhe kërcënime.

“Kur u kam thënë se nuk e heq, kanë kërcënuar, me të kuptuar se nëse nuk e heq…”, ka deklaruar gazetari.

“Në mëngjes kam shkuar në Polici dhe e kam paraqitur rastin. Unë mangup nuk jam, por që të ma diktojë dikush se çfarë të shkruaj, nuk ka shans, edhe sikur të rrotullohej toka e qielli. Nuk ka shans fare, fare, fare, askush”, është shprehur Mehmetaj.

“U kam thënë: ‘Në rregull, vazhdoni’. I kam larguar nga zyra dhe ata janë larguar. Pastaj kam shkuar në Polici dhe e kam paraqitur rastin, sepse po jetojmë në demokraci. Kam ndjekur rrugën institucionale”, ka shtuar ai.