Prokuroria kërkon masë paraburgimi për 46 vjeçarin që dyshohet për rrëmbim të një personi

Prokuroria Themelore në Prishtinë, respektivisht Departamenti për Krime të Rënda ka paraqitur kërkesë në gjykatën e këtij rajoni për caktimin e masës së paraburgimit kundër 46 vjeçarit nga Prishtina, Jeton Vlasaliut, i cili dyshohet për veprën penale “Rrëmbim”.

Rastin për klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.

”Lidhur me rastin për të cilin keni kërkuar informata, Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi. Rasti po vazhdon të hetohet në drejtim të veprës penale “Rrëmbimi”, tha ajo.

46 vjeçari po dyshohet se është i përfshirë në rrëmbimin e Bedri Rexhepit, i cili është raportuar i zhdukur që nga 8 prilli i këtij viti.

Askush nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen dhe gjendjen shëndetësore të Rexhepit që nga mbrëmja e 8 prillit, nga kur ai nuk u është përgjigjur as thirrjeve.

Ndërsa, më 9 prill vetura e tij është gjetur e braktisur në arat e fshatit Janjevë.

Thuhet se deklarata e Jeton Vlasaliut që e ka dhënë në polici është krejtësisht kontradiktore me gjendjen faktike që ka rezultuar nga hartografia e telefonit të tij.

Pasi që nga hartografia e telefonit të tij, në këtë dokument, thuhet se Vlasaliu ditën e zhdukjes së Rexhepit ka qenë në Llabjan dhe Slivovë, Sllatinë dhe Babush, Konjuh dhe Lipjan, si dhe Hajvali, por i njëjti në polici e ka mohuar se ka vizituar këto lokacione.

Prokuroria dyshon se rrëmbimi i Rexhepit mund të jetë kryer në ndonjërin nga lokacionet e lartcekura, pasi që vetura e tij është gjetur e braktisur në arat e fshatit Janjevë.

Prokurori i rastit ka arsyetuar kërkesën e paraburgimit, duke thënë se ekziston dyshimi për të besuar se nëse Vlasaliu gjendet në liri, ai do të pengojë rrjedhën e procedurës, duke ndikuar te dëshmitarët dhe për shkak se ka arsye për të besuar se ai mund t’i asgjësojë faktet dhe të ndryshojë provat.

Paraburgimi i është caktuar edhe për shkak të peshës së veprës penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilat është kryer kjo vepër.