Prokurorja Speciale

Prokuroria kërkon dënimin e katër të akuzuarve për shpëlarje parash

Prokurorja Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Habibe Salihu, në fjalën përfundimtare, të premten, ka kërkuar dënimin e katër të akuzuarve B.T., Q.T., A.T. dhe J.T, të cilët akuzohen për shpëlarje parash, ndërsa mbrojtësit e të akuzuarve, kërkuan lirimin e tyre.

Palët në procedurë, fjalët përfundimtare ia kanë dorëzuar me shkrim gjykatës dhe të njëjtat më pas i kanë elaboruar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorja Salihu, ndër të tjera ka thënë se në këtë çështje penale janë administruar prova mjaftueshëm, të cilat pa mëdyshje kanë vërtetuar se me veprimet e të akuzuarve, janë manifestuar elementet e veprës penale të përshkruara si në aktakuzë.

Prokurorja kërkoi nga gjykata që të akuzuarit t’i shpallë fajtorv dhe t’i dënojë në bazë të Kodit Penal dhe t’iu konfiskohet pasuria e sekuestruar, me vendim të gjykatës.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit B.T, avokati Ramiz Krasniqi, tha se nuk mund të kërkohet fajësi ndaj të mbrojturit të tij, sipas tij me hipoteza dhe me prova inekzistente.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarës Q.T, avokati Naser Sopjani, gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare tha se nuk ka vepër penale të kryer nga e mbrojtura e tij. Ai kërkoi nga gjykata që të mbrojturën tij ta lirojë nga akuza.

Ndërkaq, mbrojtësja e të akuzuarës A.T, avokatja Sadije Mjekiqi, ndër të tjera tha se aktakuza e paraqitur në këtë rast penal, është bërë në esencë pa hetime përmbajtjesore, që do ta arsyetonin tezën e saj.

Mjekiqi tha se aktakuza në lidhje me veprimet inkriminuse të të mbrojturës së saj, bëhet një përshkrim i gjatë por nuk është e argumentuar.

Gjithashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarit J.T, avokati Armend Krasniqi, ka thënë se i mbrojturi i tij, është akuzuar vetëm se është vëllai i B.T., dhe se banesat për të cilat i njëjti akuzohet, i kishte blerë me paratë e fituara nga puna e tij.

Krasniqi kërkoj nga gjykata që të mbrojturin e tij ta lirojë dhe ta shpallë të pafajshëm.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, të akuzuarit B.T., Q.T., A.T. dhe J.T ngarkohen se në vazhdimësi, në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Shpëlarja e parave” nga neni 302 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Ligjit 05/L96 neni 56, paragrafi 1.1 dhe 1.2 lidhur me nenin 28 dhe 31 të KPRK-së.