Akil Gjakova

Prokuroria kërkon 30 ditë paraburgim për Akil Gjakovën

Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar masën e paraburgimit prej 1 muaj ndaj xhudistit, Akil Gjakova, i cili po akuzohet për dhunë në familje.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i prokurorisë, Shkodran Nikçi.

“Prokurori i shtetit ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për veprën penale dhunë në familje”, ka thënë Shkodran Nikçi.

Xhudisti Akil Gjakova i është dorëzuar mbrëmë Policisë së Kosovës, pasi i njëjti u shpall si person në kërkim si i dyshuar për dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Gjakova u lajmërua edhe në rrjetet sociale, pasi që u shpall i kërkuar nga Policia e Kosovës si i dyshuar për dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Gjakova kishte shpërndarë reagimin e Federatës së Xhudos së Kosovës, ku thuhet se ata besojnë në pafajësinë e tij.

“Ne besojmë në pafajësinë e Akilit dhe urojmë që organet e rendit të drejtësisë sa më parë të zbardhin rastin. Andaj ftojmë mediat të tregojnë maturi në trajtimin e këtij rasti dhe të ndalojnë njollosjen dhe gjykimin publik të një nga figurave që vazhdon të promovoj imazhin pozitiv të vendit tonë”, thuhej në njoftimin e federatës ndër të tjera.