Prokuroria e Kosvës ka njoftuar që gjatë 24 orëve të fundit nga prokuritë themelore janë ngritur 65 aktakuza ndaj 75 personave për vepra të ndryshme penale.
Po ashtu, me urdhër të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë gjashtë persona, si dhe janë bërë tri kërkesa për caktimin e paraburgimit të tre personave, të dyshuar se kanë kryer vepra të ndryshme penale.
Gjithashtu, prokurori i shtetit njofton se ka paraqitur kërkesë për sekuestrim të përkohshëm pranë Gjykatës Themelore në Prizren, nën dyshimin se një person nga Komuna e Prizrenit, është përfshirë në kryerjen e veprave penale ”Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ndaluar një person të dyshuar. Po ashtu, kjo prokurori ka bërë tri kërkesa për caktim të masës së paraburgimit për tre persona, me dyshimin se kanë kryer vepra të ndryshme penale. Gjatë 24 orëve të fundit, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur 22 aktakuza kundër 25 personave për vepra të ndryshme penale.
Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë 24 orëve të fundit me urdhër të prokurorit, është ndaluar për 48 orë një person për shkak të veprave penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Dhuna në familje”.
Prokuroria Themelore në Prizren, ka paraqitur kërkesë për sekuestrim të përkohshëm pranë Gjykatës Themelore në Prizren, nën dyshimin se një person nga Komuna e Prizrenit, është përfshirë në kryerjen e veprave penale ”Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.
Ndërsa, gjatë 24 orëve të fundit, janë ngritur tetëmbëdhjetë aktakuza kundër njëzet personave, për vepra të ndryshme penale të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Prokuroria Themelore e Pejës, gjatë 24 orëve të fundit ka ndaluar një persona të dyshuar për veprën penale “Legalizim i përmbajtjes se rreme”. Me urdhër të prokurorit të shtetit i dyshuar është ndaluar për 48 orë. Gjithashtu kjo prokurori, gjatë 24 orëve të fundit ka ngritur 19 aktakuza ndaj 10 personave. Gjatë ditës se djeshme, është raportuar për një trup të pajetë në qytetin e Pejës. Me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion. Po ashtu gjatë natës se mbrëmshme në qytetin e Pejës ka pasur të shtëna me armë zjarri, derisa Policia e Kosovës është në ndjekje të personave të dyshuar.
Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ndaluar dy persona të dyshuar, në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe ka ngritur dy aktakuza, kundër katër personave.
Gjatë 24 orëve të fundit në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, është ngritur një aktakuzë kundër një personi.
Brenda 24 orëve, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka ndaluar një person, për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor“. Po ashtu, Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka ngritur dy aktakuza kundër dy personave.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë 24 orëve të fundit, ka ngritur një aktakuzë kundër një personi.








