Prokuroria jep detaje | Kjo është arsyeja që çoi te vrasja e 41-vjeçarit në Fushë Kosovë

Arsim Hamiti, 41-vjeçar u privua nga jeta të dielën në mbrëmje në rrugën “Pjetër Budi” në Fushë Kosovë. Për këtë rast, tashmë ndodhen në paraburgim dy persona L.B., dhe A.M., të dyshuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja”, ndërsa ky i fundit edhe për veprën “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Gazeta Express ka siguruar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit në të cilën janë dhënë detaje për vrasjen e 41-vjeçarit.

Prokuroria Themelore e Prishtinës pretendon se 41-vjeçari fillimisht për shkak të një mosmarrëveshje është rrahur me grushte e shkelma nga të pandehurit. Aty janë përdorë edhe mjete të forta e më pas, sipas prokurorisë A.M., e ka goditur me thikë viktimën në pjesën e krahërorit – anën e majtë.

“Me datë 12.02.2023 rreth orës 21:40 në rrugën “Pjetër Budi” në Fushë Kosovë, të pandehurit A.M., dhe L.B., për shkak të mosmarrëveshjes së atëçasshme fillimisht të pandehurit e kanë sulmuar dhe goditur me grushte e shkelma dhe me sende të forta, e më pas me qëllim të privimit nga jeta, i pandehuri A.M., e ka goditur me thikë në pjesën e krahërorit -anën e majtë, me ç’rast është privuar nga jeta i A.H., me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vrasje” nga neni 172 lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, thuhet në kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit

Tutje prokuroria thekson në dosjen e saj se te i pandehuri A.M., është gjetur se pa autorizim e në kundërshtim me ligjin ka mbajtur në pronësi armën-thikën.

Ndërsa, “i pandehuri L.B., pas verifikimit rezulton se ka urdhërarrest për vepra tjera dhe ju ka shmangur drejtësisë”.

Sipas prokurorisë, i ndjeri nuk iu ka rezistuar goditjeve.

“Duke pas parasysh peshën e kësaj vepre penale mënyrën e kryerjes ku edhe pse i ndjeri nuk ju reziston vazhdojnë ta godasin e më pas edhe e privojnë. Vlerësojmë se të njëjtit nuk duhet të jenë në liri, tregon se ekziston rreziku të përsërisin veprën penale të njëjtë apo të ngjashme”, thuhet tutje në dosjen e prokurorisë.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka njoftuar se gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve A.M dhe L.B e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve ua ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji, për secilin veç e veç.

“Gjyqtari i procedurës paraprake i ka analizuar të gjitha arsyet mbi shkaqet e caktimit të paraburgimit dhe ka gjetur se kërkesa e prokurorit të shtetit për caktimin e paraburgimit është e bazuar, ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale, ekziston rreziku i ikjes së tyre dhe në këtë mënyrë mund të jenë të paarritshëm për organet e ndjekjes, andaj paraburgimi është e vetmja masë me të cilën tani për tani mund të sigurohet prania e të pandehurve në këtë procedurë penale, pengimi i tyre në përseritjen e veprave të ngjashme penale dhe me qëllim të zhvillimit të suksesshëm të kësaj çështje penale”, thuhet në njoftimin e gjykatës.