Prokuroria

Prokuroria jep arsyet e dështimit të seancës ndaj milionerit të LDK-së

Prokuroria në Prishtinë ka dhënë arsyet e mosparaqitjes së djeshme të prokurorit Shkelzen Ibrahimi në gjykimin ndaj deputetit Ramiz Kelmendit për vjedhje të rrymës.

Në një bisedë për KALLXO.com, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha, tha se arsyeja e mosparaqitjes në seancë ka qenë një ngatërresë pasi që prokurori i rastit ka kaluar në Departamentin e krimeve të renda.

“Është bërë një ngatërresë pak, prokurori nuk ka mundur të shkojë duke menduar se po shkon tjetërkush, për këtë ka dështuar seanca, sepse Shkelzeni ka kaluar në Departamentin për krime te rënda dhe tash do ta caktojmë prokurorin për herën tjetër, sepse ende nuk janë ndarë lëndët”, tha prokurori Berisha.

Shkaku i moskoordinimit të prokurorëve ka dështuar të mbahet seanca ndaj deputetit Ramiz Kelmendi, i cili po gjykohet për vjedhje të rrymës.

Sipas aktakuzës, Kelmendi me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja të luajtshme që vetit t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme nga data e pavërtetuar e deri më 30 qershor 2011, kompania “Elkos”, në Fushë-Kosovë, e cila është pronë e tij, i kanë shkaktuar dëm KEK- ut në vlerë prej 22.801.19 euro.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, gjatë një kontrolli të bërë në kompaninë “Elkos” nga punëtorët e KEK-ut, kanë vërejtur se Kelmendi me qëllim të vjedhjes e ka shfrytëzuar në mënyrë të paautorizuar energjinë elektrike.

Në aktakuzë më tej sqarohet se deri tek ky konkludim nga punëtorët e KEK-ut ka ardhur pasi që janë gjetur dy transformatorë të rrymës që kanë qenë jashtë matjes, derisa një përçues ishte shkëputur nga lidhja.

Si rrjedhojë, Prokuroria pretendon se përmes këtyre veprimeve dy të tretat (2/3) e energjisë elektrike nuk ishte regjistruar, me ç‘rast edhe e akuzon Kelmendin me veprën penale të vjedhjes së rëndë.

Kelmendi ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën e cila i vihet në barrë.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.