Kërkohet dënimi i përjetshëm për rusin e akuzuar për vrasjen e gjeorgjianit në Berlin me ‘urdhër shteti’ Prokurorët federalë gjermanë kanë kërkuar burgim të përjetshëm pa lirim me kusht për një rus të akuzuar për vrasjen e një ish-komandanti çeçen në Berlin më shumë se dy vjet më parë, me urdhër të Moskës.
Kërkesa iu bë gjykatës së Berlinit më 7 dhjetor, pas 14 muajsh gjyqi të personit të identifikuar nga prokurorët si Vadim Krasikov, i cili akuzohet se vrau Zelimkhan Khangoshvili, një shtetas gjeorgjian me përkatësi çeçene, në parkun Kleiner Tiergarten në gusht 2019. I dyshuari, i cili u arrestua pak minuta pas vrasjes, ka deklaruar se është i pafajshëm. Ai kishte udhëtuar në Gjermani me një pasaportë ruse të lëshuar me emrin Vadim Sokolov.
Prokurorët federalë e identifikuan atë si “komandant i një njësie speciale të shërbimeve sekrete ruse FSB”. Duke përmbledhur rastin, prokurori Lars Malkies i tha gjykatës se i dyshuari “likuidoi një kundërshtar politik si një akt hakmarrjeje”. Kolegu i tij, Nikolaus Forschner, tha se i akuzuari kishte kryer një “urdhër shtetëror për të vrarë”. Në një seancë të mëparshme, i dyshuari i tha gjykatës përmes avokatit të tij se ai duhet të identifikohet vetëm si Vadim Sokolov, i cili është “rus, beqar dhe inxhinier ndërtimi”.
Ai tha se nuk njihte “askënd” me emrin Krasikov. Khangoshvili, 40 vjeç, kishte luftuar me trupat ruse në Çeçeni. Ai i kishte mbijetuar më parë disa atentateve dhe vazhdoi të merrte kërcënime pasi u arratis në Gjermani në vitin 2016, ku i ishte dhënë azil.







