Prokuroria flet për fajtorin e aksidentit në Mramor

Katër persona mbetën të vdekur si pasojë e një aksidenti trafiku në magjistralen Prishtinë- Gjilan, saktësisht në fshatin Mramor të Prishtinës.

Si pasojë e aksidentit në vendin e ngjarjes ka vdekur  njëri vozitës dhe një pasagjere, ndërsa dy pasagjerët, një mashkull dhe një grua kanë vdekur në QKUK.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, tha për Kallxo.com se sipas vendit të ngjarjes, shkaktar i aksidentit është tejkalimi.

‘Sipas vendin të ngjarjes, shkak i aksidentit është tejkalimi nga vetura ku mbetën të vdekur tre persona, edhe pse në atë pjesë tejkalimi ka qenë i lejueshëm’’, tha Beka.

Beka shtoi se për këtë aksident nuk ka ende ndonjë person të ndaluar.

‘Të ndaluar nuk ka njëherë, po presim ekspertizën rreth aksidentit, por shenjat e para janë se fajtor i këtij aksidenti është ngasësi i veturës, i cili ka vdekur’, tha Beka.

Ai shtoi se sipas prokurorit kujdestar, edhe pse tejkalimi në atë pjesë ka qenë i lejueshëm, shoferi i veturës nuk e ka matur mundësinë për tejkalim.

Në këtë aksident ishte përfshirë edhe eskorta e ambasadores së Turqisë në Kosovës, Kivilcim Kiliç.

Kryeprokurori Imer Beka tha se nga eskorta e ambasadores më së shumti lëndime ka pësuar kjo e fundit.