Prokuroria e Shtetit paralajmëron masa pas skandalit të kryeprokurorit të Gjakovës

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, nëpërmjet një njoftimi ka bërë të ditur se Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, pas pranimit të informacionit nga mediat lidhur me dyshimet e ngritura për shpërndarje të pyetjeve të testit për bashkëpunëtorë profesionalë nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala, në bazë të kompetencave që ka do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ramiz Buzhala, dyshohet se ka dërguar disa pyetje në adresë të gazetares së Kallxo.com, ku thotë “Këto janë pyetjet për testin me shkrim”. Gjithashtu, i njëjti i thotë Adelinës ta shfrytëzojë kohën deri në ora 13.

Buzhala më pas është kontaktuar nga gazetarja e mediumit, ama pastaj e ka vërejtur se pyetjet i ka dërguar gabimisht.

Kallxo.com ka mësuar se pyetjet kanë qenë për testin me shkrim i cili ka pasur të mbahet sot brenda objektit të ish-Rilindjes për bashkëpunëtorë profesionalë.

“Adelina, përshëndetje! Adelina… Adelina…! Ja gabim, gabim jem, Adelina gabim është diçka…”, dëgjohet të thotë kryeprokurori.

Buzhala refuzoi të përgjigjet në pyetjet e gazetares dhe në fund tha se s’po dëgjohet mirë, pastaj lidhja është shkëputur.

Gjatë bisedës, kryeprokurori dëgjohet teksa thotë “kuku q…n….”.